Një pjesë e medias, fatkeqësisht sikurse edhe disa segmente të politikës u përfshinë këto ditë në komente dashakeqëse ose në rastin më të mirë të shtyre nga mungesa e informacionit, në komente negative lidhur me masakrën e 7 Gushtit në plazhin e Durrësit ku Dritan Dajti, i akuzuar për vrasje, gjobëvënie dhe disa akuza të tjera, vrau 4 police ndërsa po zbatonin një urdhër për arrestimin e këtij shume të kërkuari.

Ndërsa tashmë ndaj Dritan Dajtit, rendojnë akuza që do ta lënë atë pas hekurave për gjithë jetën, pavarësisht frymës disfatiste që përcjellin disa media, kolege të policeve të vrarë në detyre duket të jenë të motivuar më shumë se kurrë në luftimin e krimit.

Pavarësisht keqinformimeve mediatike, gjithkush në policinë e shtetit, e di dhe e ka të qartë se operacioni për arrestimin e Dritan Dajtit, është zhvilluar në bazë të një plani të detajuar, të miratuar më parë nga organet kompetente.

Burime nga policia, bëjnë të ditur se Dajti është përgjuar për lëvizjet dhe vendndodhjen e tij në një kohë jo shumë të gjatë por që ka qenë e mjaftueshme për të hartuar një plan për kapjen e tij.

Një plan i cili veç të tjerash nuk mund të zbatohej natën, pasi do të ishte shkelje e hapur e ligjit.

Kurse ndërhyrja në pikun e drekës, në një orar ku rruga ku ndodhi masakra ishte e zbrazet, si dhe pozicioni i bllokimit të të kërkuarit në një rrugicë të ngushtë me makinat e policisë dhe shume uniforma blu të maskuar rreth e rrotull, konsiderohet prej eksperteve si zbatim korrekt i planit për arrestimin e tij.

Plani është detajuar menjëherë pas sinjalizimeve nga oficeret që morën pjese në këtë operacion dhe ai është mbajtur sekret. Burime nga policia thonë se prania në makine e radiove policore nuk do të thotë aspak se Dajti ishte në dijeni të operacionit ndaj tij, pasi komunikimi është kryer gjatë gjithë kohës me anë të numrave celulare.

Oficeret që morën pjese në këtë aksion ishin më të trajnuarit, dhe mjaft të suksesshëm në operacione të tilla.

Ata kanë marrë pjesë në më shumë se 100 operacione të ngjashme në vend si dhe 35 të tilla jashtë vendit, ku janë shquar mes kolegeve ndërkombëtare në misionet e përbashkëta, por Dritan Dajti që kalonte jetën në arrati duke menduar çdo moment se kishte policinë që e ndiqte ia arriti që të sulmonte i pari policët, të cilët realisht nuk kanë detyrë parësore që të vrasin njerëz në kërkim, por t’u kërkojnë atyre që t’ju dorëzohen ligjit dhe njerëzve të drejtësisë.

Me këtë logjike, dhe i pajisur mirë me armatim, Dajti ka qëlluar njëherësh me të dy duart ndaj dy policëve që po lëviznin rrëshqanthi drejt makinës së tij me xhama të errët.

Pasi i ekzekutuar ata, ai ka dale nga makina dhe ka qëlluar policët që mbanin të mbërthyer kunatin e tij, një përleshje që ka zgjatur disa minuta dhe në të cilën janë përfshirë edhe police të tjerë që mbështesnin operacionin. Sipas burimeve të policisë, numri i viktimave do të kishte qenë sigurisht më i vogël nëse njëri prej policëve nuk do t’i kishte bllokuar automatiku, me të cilin kishte mundur të shtinte vetëm një herë.

Përshkrimi i skenave të tilla ngjan me histori filmash të Hollivudit, por Dritan Dajti, ishte i përgatitur për një situate të tillë.

Gjithashtu, edhe policia kishte hartuar planin e saj të saktë dhe profesional. Por përballja me krimin për fat të keq këtë herë rezultoi fatale, edhe pse i shumë kërkuari ndodhet tashmë para drejtësisë.

Në një proces, ku do të zbardhet e gjithë e vërteta e kësaj ngjarje, lidhjet e tij të mundshme me punonjës të policisë që i kanë siguruar atij jo vetëm radio, dokumente të rreme identifikimi dhe mjete të tjera për t’ju shmangur kontrollit, por edhe një jetë thuajse të pa trazuar familjare gjatë kohës që ai ishte në arrati pas largimit spektakolar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2003./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani