Një sulm ajror izraelit në një kompleks shkolle në Gaza ku strehoheshin familje të zhvendosura vrau 100 njerëz.
Ushtria izraelite bëri të ditur se sulmi kishte në shënjestër militantët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik që vepronin atje dhe se kompleksi dhe xhamia që u godit brenda tij, shërbente si një objekt aktiv ushtarak i Hamasit dhe Xhihadit Islamik.
Sulmi ndodhi kur rreth 6000 njerëz të strehuar në shkollë po kryenin lutjen e mëngjesit ku mes viktimave kishte rreth 11 fëmijë. Sipas zëdhënësve të ushtrisë së Tel Avivit, 20 militantë ekstremistë u vranë gjatë këtij sulmi. Kjo është masakra më e rëndë mes palestinezëve që pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Hanije në Teheran, akt për të cilin Irani është betuar se do të hakmerret me sulme ndaj Izraelit.
Izraeli thotë se grupet militante palestineze futen në mesin e civilëve të Gazës, duke operuar nga shkolla, spitale dhe zona të caktuara humanitare gjë që Hamasi dhe aleatët e tij e mohojnë. Ministria e Jashtme e Egjiptit dënoi gjithashtu sulmin, i cili erdhi ndërsa ndërmjetësit po mbajnë bisedimet për armëpushim.
Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari kanë planifikuar një raund të ri negociatash, pasi frika po rritet për një konflikt më të gjerë, që përfshin Iranin dhe aleatin e tij libanez Hezbollah.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka thënë se nuk do t’i japë fund luftës derisa Hamasi të mos përbëjë më një kërcënim për izraelitët, ka bërë të ditur se një delegacion do të dërgohet në 15 Gusht.
Klan News