Gjykata e Tiranës ka lënë në burg autorin e vrasjes së fqinjit në Zall Bastar. Isuf Hasa do të qëndrojë në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Hasa ka pranuar krimin e rëndë, por nuk dha deklarime të gjata. Ai u shfaq i tronditur dhe i penduar para trupit gjykues.

Nëpërmjet avokatit të tij 64-vjeçari i kërkoi falje familjes së Xhemal Metës. Ndaj 64-vjeçarit Prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes me paramendim, vepër penale që dënohet nga 15 deri në 25 vite burg.

Ai pranoi vrasjen me çekiç edhe para hetuesve të policisë dhe tha se aktin e kreu pasi 81-vjeçari e ofendonte dhe i kishte ngacmuar edhe gruan. Ngjarja ndodhi në fshatin Shëngjin i Vogël në Zall-Bastar, në oborrin e shtëpisë së viktimës. Pas ngjarjes ai i mori edhe rreth 200 mijë Lekë që viktima i mbante me vete.

64-vjeçari Hasa u shoqërua menjëherë pas ngjarjes, por mohoi krimin, por policia e la të lirë qëllimisht që të ndiqte veprimet e tij. Pas mbikëqyrjes që blutë i bënë, konstatuan se çekiçin e kishte fshehur në banesën e vajzës së tij në Vorë, dhe po ashtu edhe paratë që i vodhi 81-vjeçarit Xhemal Meta.

Dyshime për autorësinë e Isuf Hasës patën edhe familjarët e Xhemal Metës, pasi ndryshe nga bashkëfshatarët e tjerë, ai nuk mori pjesë në ceremoninë mortore.

Klan News