Gjykata e Tiranës la këtë të premte në arrest me burg Isuf Hasën, i cili akuzohet për vrasjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta në Zall-Bastar.

Pas ngjarjes, Hasa u shoqërua menjëherë në komisariat, por më pas u la i lirë qëllimisht. Agjentët e vunë në pranga pas sigurimit të provave.

Para hetuesve, ai ka deklaruar se Meta e bullizonte dhe i ngacmonte gruan.

“Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte: “Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas”. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava, i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë”, ka thënë Hasa në dëshminë e tij.

Kujtojmë se Xhemal Meta u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij, me dëmtime të rënda në pjesën e pasme të kokës.

Në atë moment policia mësoi se ai ishte goditur nga fqinji i tij, i cili pasi e vrau, i mori edhe 200 mijë lekë të rinj që viktima i mbante në Xhep./tvklan.al