Policia e Tiranës zbardh vrasjen e të moshuarit në fshatin Zallbastar. Të hënën ai u gjet i pajetë pranë këtij muri në hyrje të shtëpisë së tij nga nipi i tij, në fshatin Shëngjin të Vogël të Zall Bastarit dhe dyshohet se ishte nisur për në kafen e fshatit.
Ishte ekspertiza mjeko-ligjore e cila doli në përfundimin se 81-vjeçari është dëmtuar me sende të forta të cilat i morën edhe jetën. Xhemal Meta, prej vitesh jetonte i vetëm në fshat, ndërsa familjarët jetojnë në Tiranë.
Hetuesit në këtë fazë të hetimit dyshojnë se i moshuari mund të ketë pasur ndonjë konflikt me banorë të zonës për punët e fshatit, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë goditur me qëllim për t’u vjedhur. Burimet thonë se atij nuk i është gjetur portofoli dhe disa sende të tjera që mbante me vete, megjithatë shtëpia është gjetur e paprekur.
Një person i dyshuar si autor i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta në Shëngjin të Tiranës është shoqëruar në Policinë e Tiranës për tu marrë në pyetje. Në funksion të ngjarjes po bëhen kërkime për sendet dhe paratë që dyshohet se i janë vjedhur të moshuarit.
Të pyetur për ngjarjen dhe dyshimet që mund të kenë, familjarët i thanë policisë se i moshuari nuk ka pasur konflikte me njeri dhe nuk dyshojnë tek asnjë prej personave që jetojnë në afërsi, pasi me ta kanë edhe lidhje gjaku.
Aty jetojnë vetëm 4 familje dhe janë pyetur të gjithë, por deklarojnë se nuk kanë asnjë dijeni për ngjarjen.
Klan News