Isuf Hasa, 64 vjeç është autori i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta në Zall-Bastar, i cili është vënë në pranga për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
Në një komunikatë për shtyp, Policia bën të ditur se Isuf Hasa, fqinj me viktimën ka shkuar me datë 13 Janar rreth orës 09:00 në banesën e të moshuarit dhe për motive të dobëta e ka goditur me çekiç pas koke.
Pasi ka kryer vrasjen, ai i ka marrë dhe shumën monetare që 81-vjeçari ka pasur në xhep dhe më pas është larguar. Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200 mijë Lekë të rinj.
Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e vajzës së Isuf Hasës në fshatin Gjokaj të Vorës, ku kanë gjetur çekiçin me të cilin autori ka kryer vrasjen e Xhemal Metës.
Sjellim në vëmendje se dy ditë më parë në Zall-Bastar, i moshuari Xhemal Meta u gjet i pajetë në oborrin e shtëpisë. Pas kryerjes së ekzaminimit mjeko-ligjor, ka rezultuar se 81-vjeçari kishte dëmtime në pjesën e pasme të kokës.
Komunikatë për shtyp për zbardhjen e vrasjes së 81-vjeçarit:
Përshëndetje. Jam sot këtu sëbashku me zëvendëdrejtorin për Hetimin e Krimit Erion Ismaili dhe Zëvëndës Drejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike Idriz Daulle, Shefin e Sektorit për Krimet e Rënda Gilbert Hoxha, për të bërë prezent rezultatet e punës në kuadër të operacionit policor të koduar “dyshimi”, ku falë një pune profesionale dhe hetimore të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u bë zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 13.01.2025 ku u gjet pa shenja jete 81-vjeçari Xhemal Meta.
Më datë 13.01.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4, kanë marrë njoftim nga një shtetas se komshiu i tij shtetasi Xhemal Meta është konstatuar i pajetë në oborrin e banesës së tij.
Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjeherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore ka lindur dyshimi se ky shtetas mund të ishte vrarë me sende të forta.
Për hetimin dhe zbardhjen e rastit u krijua një grup i posacëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijoi punën intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Grupi i posacëm hetimor i përbërë nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe Specialistët e Departamentit te Policisë Kriminale nën drejtimin profesional të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Pergjithshme Tiranë, kanë kryer një sërë veprimet profesionale hetimore nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit.
Falë punës hetimore intensive, brenda 48 orësh është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar.
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjeç, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimen i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.
Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj.
Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen .
Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr.7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim ”.
/tvklan.al