Ky është 64-vjeçari, Isuf Hasa, i arrestuar nga Policia pasi dyshohet se vrau me sende të forta komshiun e tij, Xhemal Meta në fshatin Shëngjin i Vogël në njësinë administrative Zall Bastar.

“Pikërisht në këtë vend, vetëm pak metra larg banesës së tij, u gjet pa shenja jete mëngjesin e së hënës, 81-vjeçari, Xhemal Meta. Viktima u konstatua nga nipi i tij, i cili njoftoi Policinë e Tiranës që pas ekspertizës konstatoi se 81-vjeçari ishte goditur me sende të forta pas koke”, raporton gazetari Merin Maçi.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi tregoi dinamikën e ngjarjes, teksa shtoi se vrasja ka si zanafillë një konflikt për motive të dobëta.

“Më datë 13.01.2025, rreth orës 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjec, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen. Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 Lekë të rinj”, tha drejtori i Policisë së Tiranës.

Përpara hetuesve, vrasësi ka pranuar autorësinë t eksa ka ndihmuar policinë dhe për sekuestrimin e çekiçit me të cilin kreu vrasjen. Ai u gjet në banesën e vajzës së autorit në fshatin Gjokaj në Vorë.

Tv Klan