Masa të forta policie janë marrë nga policia dhe garda për mbrojtjen e godinës së kryeministrisë. Efektivët e gardës kanë rrethuar kryeministrinë, të armatosur me armë automatike dhe me antiplumb. Përveç gardës, godina e kryeministrisë është mbrojtur dhe nga forca speciale të pajisura me shkop gome dhe skafandër. Forcat e rendit gjithashtu kanë rrethuar turmën me kapacitet të plotë, por kordoni i tyre është çarë brenda pak minutave. Situata ndiqet në bulevard dhe nga forca të gardës të vendosura në lartësi dhe të gatshme për të vepruar. Kryeministria është rrethuar pas tentativës së turmës për të hyrë brenda saj nga një rrjetë telash me gjemba. Gjatë gjithë protestës, përpara kryeministrisë, godina është mbrojtur nga një mur i forcave të gardës dhe ndërhyrjes së shpejtë. Pas largimit të turmës nga kryeministria, forcat e gardës dhe të policisë kanë marrë urdhër të vendosen në pozicion roje pranë godinës së parlamentit, ku gjithsesi gjendja ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur protestues. Forcat speciale, Policia e Shtetit, dhe Garda vazhdojnë të qendrojnë në gjendje gatishmërie./tvklan.al