Kufiri jugor i vendit do të patrullohet nga forca policore në gjendje gatishmërie gjatë zhvillimit të lojrave olimpike në Greqi. Policia e Korçës dhe e Gjirokastrës, me urdhër të ministrit të Rendit, kanë organizuar një shërbim të përforcuar kufitar. Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Bajram Ibraj ka inspektuar këto zona, ku, përveç efektivave lokalë, janë vendosur dhe forca speciale nga Tirana dhe rrethet.
Bajram Ibraj: “Sot janë vendosur të gjitha shërbimet përforcuese, me forcat e ndërhyrjes së shpejtë në bashkëpunim me forcat e policisë kufitare dhe në strukturat e tjera pët të vlerësuar dhe për të përballuar çdolloj rasti që mund të paraqitet. Natyrisht situata është normale, e qetë, masat janë të plota dhe shpresojmë që çdo gjë do të shkojë sipas punës së bërë prej disa muajsh nga të gjithë strukturat e shtetit shqiptar.”
Përgjatë vijës kufitare prej 145 km në Kapshticë, Kakavijë dhe Çarshovë të Përmetit janë vendosur patrulla të shumta policore dhe forcat speciale, ndërsa këto pika kufitare janë pajisur me skaner, kamera dhe të tjera mjete moderne për kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve që lëvizin drejt Greqisë. /tvklan.al