Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Gadishmëri e lartë dhe siguri maksimale për orët shqiptare të Medlin Ollbrajt. Në fakt që mbrëm në darkë kontrollet e policisë kryeqytetase janë ndjerë më shumë se kurrë në rrugët dhe lokalet e Tiranës. Me një urdhër të veçantë të gjitha strukturat e policisë kryeqytetase por dhe ato të ministrisë së Rendit, kanë patrulluar dhe kontrolluar zonat më të rrahura por dhe në periferi. Ndërsa sot para mbrritjes së helikopterit të Ollbrajt, dy helikopter të tjerë janë ulur duke kontrolluar zonën rreth stadiumit. Ushtarë të Gardës janë vendosur në pikat më të larta duke vrojtuar me imtësi çdo lëvizje të dyshimtë.

Forcat e policisë kanë bllokuar disa nga rrugët kryesore të Tiranës, duke lehtësuar kështu qarkullimin normal të autokolonës që shoqëronte sekretaren amerikane të shtetit Ollbrajt.

Masat e rrepta kanë parandaluar çdo eveniment negative të papritur. Bodygardët e Ollbrajt dhe policët shqiptar janë ndjer disi të shqetësuar vetëm në një moment, kur një burrë i është afruar shumë makinës së sekretares amerikane të shtetit, por më pas u mësua se ishte një i pirë i cili nuk e dinte se kush ishte në makinën kur ai bëri autostop. Megjithatë gjithçka shkoi ashtu siç ishte parashikuar duke siguruar në maksimum vizitën e Ollbrajt./tvklan.al  

Gazetar – Eduart Frangaj