Projekti “Let’s Talk Together About US24”, një skemë e tërë mashtrimi! Siç bën me dije Policia, dy shtetase janë nën hetim pasi bashkë me persona të tjerë falsifikonin dokumente duke mashtruar studentët për bursa në SHBA.

Blutë kanë ushtruar kontroll edhe në banesën e shtetases V.L e cila është zyrtare arsimore.

“Departamenti i Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetime të përbashkëta me zyrtarë të zbatimit të ligjit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për zbulimin dhe goditjen e një skeme mashtrimi për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për studime në SHBA. Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për ushtrimin e kontrollit në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit. Shtetasja V. L. është vënë në hetim, bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24”, thuhet në njoftimin zyrtar./tvklan.al