Hetimi Financiar i Policisë së Tiranës dhe Prokuroria e Tiranës kanë zbardhur një skemë mashtrimi me kredi ndaj qytetarëve, duke vënë në pranga 4 persona, mes tyre edhe një notere të përfshirë.
Ndërsa organizatori i skemës mashtruese është shpallur në kërkim. Ai është L.V. 34 vjeç, shteta shqiptar banues në Gjermani.
Ky person, sipas policisë, dyshohet se ka mashtruar persona të ndryshëm duke ju thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai u ka dhënë secilit nga 500 mijë Lekë të vjetra si shpërblim.
Nga hetimet ka rezultuar se L.V. me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare në vlera 5 deri në 7 milionë Lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe pas tërheqjes janë përvetësuar nga shtetasi L. V.
Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja M. D., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera. Kjo notere është lënë në masën e sigurisë arrest në shtëpi.
Në arrest shtëpie janë lënë edhe punonjësit e bankave, konkretisht L. N., (përgjegjëse zyre) L. P., dhe E. A., (oficerë kredie).
Autoritetet kanë mbajtur relacionet dhe vendimet e miratimit të kredive, të bazuara në të dhëna të rreme, të cilat nuk i përkasin palëve në cilësinë e debitorëve.
/tvklan.al