“Kënga Magjike” në Tv Klan shënon javën e katërt të konkurrimit, ku nën hashtagun #musicistheanswer do të gjeni të gjitha këngët e këtij edicioni. Eneda Tarifa është artistja e kategorisë “BIG”, e cila përmbylli këtë javë magjike me këngën e saj konkurruese “Më fort”. Këngëtarja përcjell mesazhin që brenda nesh nuk duhet të triumfojë vetmia, si për vajzat, njejtë dhe për djemtë.
Pentagrami i pyetjeve të saj, kishte të bënte me maskat. Këngëtarja shquhet për intervistat pa doreza me përgjigje të drejtëpërdrejta, e po ashtu ndodhi dhe në rastin e “Kënga Magjike”. Pyetja e parë e drejtuar nga Ardit Gjebrea ishte: E ke vendosur maskën për të gënjyer, apo për t’u mbrojtur?
Eneda me shumë sportivitet tregoi se gjithmonë “vendos” maskën për t’u mbrojtur, nga thashethemet, apo intrigat e jetës. Këngëtarja, ndër vite nuk i ka shpëtuar lajmeve rozë, ku prej kohësh historia e saj e dashurisë me partnerin Genti Lasku është bërë kryefjalë.
Në fund të pentagramit të pyetjeve, u shfaq një foto me maska teatri, nën pyetjen: Kush është tragjedia dhe komedia mes Enedës dhe Gentit?
Por këngëtarja zgjodhi ta thyejë heshtjen dhe të zbulojë se është më e lumtur, se asnjëherë. Specifikisht ajo u shpreh: Ne si në tragjedi, si në komedi jemi të njejtë. Nuk shoh kundërshtime mes meje dhe Gentit. Maskat, le të vazhdojnë punën e tyre.
/tvklan.al