Replika mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD Flamur Noka këtë të Enjte në Kuvend. Fillimisht Balla u dha një përgjigjie akuzave të demokratit ndaj drejtorit të Shkollës së Magjistraturës dhe gjithë procesit të zgjedhjes së fituesve.


Shkollën e Magjistraturës ia kemi besuar partnerëve tanë më të rëndësishëm, OSBE-së. Aty janë projektet e shumta, mirënjohje taksapaguesve amerikanë përmes të cilëve është mbështetja amerikane. Aty është Këshilli i Europës dhe plot partnerë të tjerë. Një proces që është qartësuar në publik, nuk ka asnjë problem. Është ribërë vlerësimi, asnjë prej atyre aty s’ka ankesa. Pse ankohesh ti?! Dëgjova që godisni Arben Rakipin, drejtorin e shkollës. Si ka mundësi ti si krye zëvendës lider riformon gjithë baltën që ka prodhuar ish-lideri yt, në arrest shtëpie”, iu drejtua ministri Nokës.

Më tej ai shtoi se opozita ka sulmuar herë pas here prokurorët dhe ambasadorët amerikanë në vend.

“Nga ’92-i deri në 2024-ën babai yt politik i ka sulmuar me radhë…Ju nuk të lini as hapësirë t’ju mbrojë kush, nuk keni lënë asnjë Prokuror të Përgjithshëm, me përjashtim të Adriatik Lallës për arsye që nuk po i ndaj këtu. Dhe pastaj qershia mbi tortë, keni sulmuar të gjithë ambasadorët amerikanë. I pari tek i fundit!  Si ka mundësi që ju sulmoni, Flamur, o Flamur! Ngrije kokën!”

Për ngjarjen e së Dielës ku gjyqtarit Tonin Stërkaj në Shkodër iu vendos eksploziv te dera e shtëpisë, Balla tha: Vini merni fjalën këtu në mëngjes, kërkoni përgjegjësi që nuk na takojnë, kur bëhet fjalë për një sulm ndaj një magjistrati si ajo që ka ndodhur të Dielën në Shkodër që unë e kam thënë është një test për Policinë e Shkodrës. Që sapo të konkludohet bashkë me Prokurorinë është diçka që duhet ta zbardhim domosdoshmërisht, në mënyrë që maskarenjtë të mos marrin hov kundër drejtësisë së re të ngritur mbi gërmadhat e drejtësisë së vjetër. Ka ardhur koha që edhe disa prej jush t’i thirrin mendjes.

Në mbyllje ai i përmendi Nokës “letra” e “dosje”.

“Ti je i fundit që flet për histori me sigurira Flamur! I thua Arben Rakipit sigurims, jo mos e bëj këtë se po u hapën ato të shkreta letra, aman s’dihet si del. Ore dëgjo, dëgjo… Në këtë sallë ju e dini dhe si ka funksionuar, shumica kanë qenë çik këtej. (krahu i mazhorancës) E vërteta është se falë hapjes së dosjeve, kështu që Flamur kërkoi falje Shkollës së Magjistraturës. Mund të ketë qenë ëndërr e mbetur në sirtar për ty, po ti zgjodhe doktorin, dhe si ai doktori tjetër se bëre kurrë profesionin.”

Noka e replikoi duke përsëritur akuzat e tij ndaj qeverisë aktuale.

Ndërsa kohën tuaj e cilëson të gjithë të inkriminuar, që nga ti dhe kryeministri yt, të gjithë të zhytur në batak. Sepse koha juaj është koha e avionëve të drogës, e hashashit, e kokainës, e Xibrakës. Xibraka ju djeg shumë ju. Edhe Fieri pas Xibrakës, që ishte projekt për laborator të kokainës, por nuk guxoni ta përmendni. Koha juaj kjo është. Por e thashë, koha juaj është koha e vjedhjes 100%. Lali Fiku, Lali Vjedhësi ua dha vulën. Hajdut 100%. Unë po ua them që Arben Rakipi është spiun i Sigurimit të Shtetit, sikundër ti je produkt i krimit në këtë parlament dhe këtë qeveri. Unë jam ku jam, këtu kam qenë. Letrat e hapura, askush që është i pastër, nuk fshihet pas letrave. Por po të hapen letrat, del Metamorfoza ku jeni të gjithë të zhytur aty brenda”, tha ai.

E.D/tvklan.al