Drejtuesit e Maternitetit të Tiranës mohojnë të kenë pasur kontrolle apo verifikime mbi listat e regjistrimit të foshnjave për sa i përket çështjes të përfolur ditët e fundit në shtypin e vendit dhe të huaj për trafikun e organeve.
Rubena Moisiu: “Deri tani nuk na kanë rezultuar, por mbase nuk është e thënë që të kenë filluar me maternitetin, mund ta kenë filluar nga institucione të tjera, por ne mbetemi të hapur për kontrolletë tilla, të vijnë të kontrollohen listat dhe që të paktën kur të thuhet në fund nuk rezulton një gjë e tillë e vërtetë të thuhet me siguri dhe me fakte.”
Për sa i përket ekzistencës së një klinike të transplantit të organeve në Shqipëri, drejtoresha e Maternitetit të Tiranës zonja Rubena Moisiu jep këtë opinion:
Rubena Moisiu: “Ditën që do krijohet mundësia në Shqipëri të kryhet transplantimi i organeve për shumë e shumë njerëz të cilët janë në nevojë dhe detyrojnë të shkojnë nëpër klinika të shteteve të tjera të kurohen apo më keq të vdesin këtu në Shqipëri, unë atë ditë do thoja kjo është fitore për mjekësinë tonë. Unë e konsideroj teknikisht të pamundur për momentin, sepse nuk di të ekzistojë në Shqipëri klinika të tilla kaq të sofistikuara sa të mud të heqin një organ dhe pastaj ta konservojnë këtë organ në kushte perfekte, sepse një organ i hequr që të mund të transplantohet në një organizëm tjetër duhet të ruhet në kushte shumë perfekte, do frigoriferin e vet, do mjetet e duhura, gjë e cila për mua rezulton shumë e vështirë.”
Sipas një deklarate të Shoqatës për Integrimin e Jetimëve shqiptarë dhënë një ditë më parë, pjesa më e rrezikuar dhe prej vitesh viktimë e trafikut të organeve janë fëmijët jetimë apo të braktisur duke ngarkuar me përgjegjësi shtëpitë e foshnjave në disa rrethe të Shqipërisë. Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë kundërshtuar me siguri të plotë ekzistencën e një trafiku të tillë, të paktën nëpërmjet rrugëve shtetërore. /tvklan.al