Maxhoranca i ka dhënë Okay në parim nismës së Partisë Socialiste që synon amendimin e ligjit aktual për komisionet hetimore parlamentare, ndërsa opozita ka zbuluar qëndrimin e saj në mbledhjen e katërt të këtij komisioni.

Gjatë diskutimeve të sotme u vu re një qëndrim i ri i selisë rozë në lidhje me atë që kryesocialisti Rama në këto 7 muaj e ka cilësuar si krejtësisht të panegociueshme numërimin e votave të 28 Qershorit.

Fatmir Xhafa në diskutimin e tij ka deklaruar, se nëse hapja e kutive të fletëve të votimit nuk është e mundur, atëherë mund të hapen kutitë e materialeve zgjedhore.

Fatmir Xhafa: “Komisioni hetimor do të ishte në shkelje të parimeve kushtetuese,ndarjes së pushteteve pavarësisht institucioneve të tjerë, nëse do të uzurponte kompetencat, por jo kur rezulton të njëjtin veprim, kur realizon të njëjtin veprim që ka realizuar edhe KQZ, gjykata apo edhe ndonjë organ tjetër në këtë rast. Duke ju referuar saktësisht dispozitave të kodit zgjedhor, rezulton se ka dy lloje kufijsh. Kutitë e votimit me fletët e votimit dhe kutia me materialet e votimit. Edhe nëse arsyetohet sipas pretendimit tuaj se hapjen e kutive nuk e lejojnë vendimet gjyqësore, një gjë e tillë do të rezultonte tërësisht e pasaktë, për shkak se mosmarrëveshja juridike në gjykatë ka qenë e lidhur me të drejtën procedurale për rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit dhe jo me kutitë e materialeve të votimit. Duke vijuar me këtë lloj arsyetimi atëherë nuk do të rezultonte asnjë pengesë, të paktën për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, përderisa nuk ka një vendim gjykate që të jetë shprehur për këto kuti”.

Pandeli Majko: “Ne kërkojmë  një proces verifikimi nga i cili parlamenti ashtu siç ka trajtuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e kemi cituar kaq herë, parlamenti nxjerr konkluzionet e veta lidhur me çështje të natyrave që i interesojnë parlamentit”.

Thirrjes së Pandeli Majkos për mirëkuptim, për zgjidhjen e ngërçit politik, kreu i Komisionit të Ligjeve, Rusmali, është përgjigjur optimist, se mazhoranca është gati për kompromisin që sigurisht duhet të jetë i bazuar në ligjet në fuqi, ndërsa shtoi se me nismën në fjalë kryesocialisti kërkon të marrë kompetencat e të gjithë pushtetshmit.

Pandeli Majko: “Gjërat duhen parë më një lloj lirshmërie në sensin e krijimit të mirëbesimit me njëri tjetrin. Ne nuk mund të fillojmë një hetim të këtij problemi pa krijuar së pari një mirëbesim reciprok”.

Ilir Rusmajli: “Nuk ndërton dot mirëbesimin kur themelet janë palë të keqbesimit, prandaj është fatkeqe thirrja shumë fisnike politike shumë, shumë e çmuar politike e z.Majko. Po jo vetëm kaq, në qoftë se ne do të ulemi, ne do të shikojmë kush është raporti i Kryetarit të Partisë Socialiste me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e këtij vendi, që nga dita kur ai konstatoi që ishte humbësi i zgjedhjeve në Shqipëri. Ne në mënyrë të paevitueshme do konstatojmë faktin që ai është një raport i thellë i keqbesimit. Z.Rama nuk kishte besim tek vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit, prandaj donte një ligj, i cili ti garantonte në mënyrë absolute atë që kërkonte të realizonte politikisht. Prandaj donte një ligj, i cili t’i jepte me ligj dhe në mënyrë absolute shumicën në komision. Donte një ligj që z.Rama personalisht ta bënte prokuror të vendit, Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Unë besoj shumë që ne do ta gjejmë kompromisin lidhur me këtë projektligj. Shpresoj shumë që do ta kemi këtë mundësi, sepse sa herë ka pasur kriza politike, sa herë ka pasur kriza politike në Shqipëri dhe … Njerëzit e mençur zgjidhjen e krizave e kanë gjetur tek ligji, e kanë gjetur te Kushtetuta e vendit, e kanë gjetur te rregullat e lojës. Sa herë që kriza politike prodhohen për të ndryshuar me dhunë ligjin, Kushtetutën, apo rregullat e lojës, ato dështojnë”.

Pa miratimit në parim të draftit të Partisë Socialiste Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë atë nen për nen mbledhjen e të martës./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka