Shqiptarët heqin të gjithë anëtarët nga komisionet elektorale. Kjo masë është marrë pasi asnjë prej dy kandidatëve të mbetur presidencialë Trajkovski dhe Petkovski nuk u kanë dhënë përgjigje kërkesave të paraqitura nga partia e kryesuar nga Abdurraman Haliti. Këto kërkesa kishin të bënin me njohjen e Universitetit të Tetovës, pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, njohje nga Maqedonia të pavarësisë së Kosovës si dhe të drejta më të mëdha për popullsinë shqiptare.

Nga ana tjetër Arbër Xhaferri është shprehur se pjesëmarrja e shqiptarëve nesër në votime ka të bëjë me tendencat e shfaqura nga koalicioni në fuqi sidomos për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Anëtarët shqiptarë në komisione nuk e kanë paraqitur ende kërkesën për dorëheqje. Megjithatë në bazë të procedurave në fuqi, ky hap i shqiptarëve nuk mund të pengojë funksionimin e komisioneve elektorale në qendër dhe në bazë.

Sot kanë votuar të gjithë pjesëtarët e ushtrisë maqedonase me një total rreth 9000 vetë dhe gjithë të sëmurët në moshë madhore. Për herë të parë kanë patur mundësi të votojnë sot dhe persona që vuajnë dënimin në institucione ndëshkimore. Votat e tyre do të numërohen nesër në mbrëmje pas orës 19:00, procedurë e parashikuar nga ligji elektoral në fuqi maqedonase.

Përsa i përket pjesëmarrjes nesër në raundin e dytë ende nuk mund të jepen shifra të sakta megjithëse liderët e dy partive kryesore dhe PDSH-ja kanë bërë thirrje për të shkuar nesër në votime./tvklan.al

Gazetar: Redi Skënderi