Kanë arritur votat e para nga diaspora në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Bëhet fjalë për 36.500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës nga Gjermania dhe Zvicra.

Këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshin verifikimin, ndërkaq numërimi i tyre do të bëhet në një fazë të mëvonshme.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje “të gjithëve” për proces të qetë zgjedhor, derisa ka ftuar qytetarët të dalin në votime ditën e zgjedhjeve më 9 Shkurt 2025.

“Gjatë këtyre gjashtë muajve jemi përkushtuar maksimalisht në organizimini e këtyre zgjedhjeve në mënyrë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre, që zgjedhjet të organizohen sipas ligjit dhe standardeve më të mira”, tha Radoniqi.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 2,075,868 qytetarë. Ndërsa janë shtypur 1,752,650 fletëvotime.

Qytetarët në Kosovë pritet tu drejtohen kutive të votimit më 9 Shkurt ndërsa një ditë më parë pritet të organizohet votimi në përfaqësi diplomatike në shtete të ndryshme.

Tv Klan