Aldi Topçiu, drejtor ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, foli në Klan News për Europianin U-21 të vitit 2027, i cili do të organizohet në bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Ai zbuloi si lindi ideja për të hedhur kandidaturën për organizimin e Euro 2027, ndërsa zbuloi se Shqipëria fillimisht aplikoi e vetme.
Topçiu deklaroi se mund të aplikonte çdo federatë tjetër e rajonit, por asnjë tjetër përveç Serbisë nuk kishte tentuar.
“Gjithçka mund të ketë filluar që në konceptimin e stadiumit “Arena Kombëtare”. Ishte një moment i shpalosjes së një vizioni për të ndërtuar një stadium që mund të priste organizime të mëdha. Në 2022 pritëm finalen e Conference League. Vitin e kaluar kemi pritur 13 turne të UEFA-s të moshave të ndryshme.
Fillimisht aplikuam në këtë projekt si një kandidat i vetëm. Së bashku me ne, ishin Turqia, Belgjika dhe Serbia. Pas mbledhjes së zhvilluar në Tiranë me presidentë të ndryshe të Federatave të rajonit, lindi kjo mundësi, për disa arsye. Arsyeja kryesore është arsye pragmatike, që lidhet me mundësinë e kufizuara që kanë vendet tona, për evente të tilla, për t’i organizuar të vetëm. Në këtë mënyrë vjen natyrshëm bashkëpunimi për të organizuar një kompeticion të kësaj natyre.
Çdo federatë e UEFA-s, mund të ishte bashkëpunëtore. Rregullat e UEFA-s e thonë që iniciativa prej federatave duhet të kishte ardhur, diçka që nuk kishte ndodhur me federatat e rajonit përveç Serbisë”, deklaroi Topçiu.
Sipas tij, organizimi kërkonte tetë stadiume dhe 10 ambiente stërvitore, për të cilat u shpreh se Shqipëria ende nuk i ka gati. Në lidhje me përfitimet, Topçiu theksoi se i parë është kualifikimi i Shqipërisë U-21 në Europian, ndërsa përmendi edhe infrastrukturën, e cila do të mbetet trashëgimi për futbollin shqiptar.
“Organizimi është i tillë, që kërkonte tetë stadiume dhe 10 ambiente stërvitore për 16 ekipet pritëse. Infrastruktura jonë, fatkeqësisht nuk është ende gati. Disa nga detajet janë publike. Ndeshja hapëse në Serbi, ndërsa finalja është në Tiranë. Kjo na bën krenarë, sepse do të jetë në Tiranë dhe ka një atraksion edhe në jetën e përditshme.
Përfitimi i parë do të jetë ai sportiv. Ne do të jemi të kualifikuar në këtë Europian. Ngjarje historike që nuk ka ndodhur më parë. Ajo që përfiton më shumë është infrastruktura sportive. Ne kemi filluar punën për stadiumet dhe fushat e këtij eventi. Infrastruktura do të jetë trashëgimi për futbollin shqiptar. Përfitimet ekonomike janë ato me turizmin dhe zhvillimin. Ka edhe përfitime përtej futbollit. Na pëlqen ta konsiderojmë si përtej futbollit, si urë lidhëse mes kombeve dhe federatave”, u shpreh Aldi Topçiu.
Europiani U-21 do të organizohet nga Shqipërisë dhe Serbia, ndërsa do të mbahet në muajin Qershor të vitit 2027.
/tvklan.al