Ishte ora 9 e paradites së të hënës, kur nga Lampeduza, u nis grupi i parë i emigrantëve drejt Shqipërisë. Nisja e tyre vjen 342 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes kryeministri Edi Rama dhe Kryeministres Italiane Giorgia Meloni në Romë, në 6 Nëntor të vitit të shkuar. 

Ata u nisën për tu vendosur në qendrat e pritjes së Shëngjinit dhe Gjadrit. 16 emigrantët e paligjshëm u nisën me anijen ushtarake Libra, pasi u shpëtuan të dielën e 13 Tetorit, në detin Mesdhe.

Në bord Ministria e Brendshme kreu një kontroll fillestar të personave që po transferoheshin, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: nëse janë me origjinë nga vende të sigurta, meshkuj dhe jo vulnerabël.

“Anija e marinës italiane Libra mbërriti në orën 7 e 55 minuta të mëngjesit të së mërkurës, në portin e Shëngjinit. Anija me 16 emigrantët lundroi për 47 orë në ujërat e detit Jon dhe detit Adriatik për të mbërritur në brigjet e Shëngjinit.”

Anija Libra me 10 emigrantë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, nga vende që konsiderohen të sigurta nga Italia u ankorua 30 minuta pasi mbërriti në Shëngjin.

Rreth orës 10 të paradites së mërkurës, me grupe nga katër, emigrantët zbriten nga anija të shoqëruar nga forcat të policisë italiane.

Ata përshkuan me këmbë, distancën e shkurtër prej disa metrash për tek hyrja e qendrës së ngritur nga autoritetet italiane në brendësi të portit të Shëngjinit. Emigrantët iu nënshtruan menjëherë kontrolleve mjekësore, ndërsa iu ofruan veshje dhe ushqim. Më pas nisën procedurat e nevojshme të identifikimit.

Gjatë kohës që po kryheshin kontrollet në qendrën e pritjes brenda portit, anija e marinës italiane u largua për tu kthyer pas në Itali. Anija Libra qëndroi në Portin e Shëngjinit për 5 orë.

Teksa në Shëngjin po kryheshin procedurat për emigrantët, banorët e zonës shprehen se ata janë të mirëpritur. Për Klan Nevvs, qytetarët e Lezhës kujtojnë vitet 90 kur shqiptarët u larguan drejt Italisë dhe tashmë është radha e vendit tonë t’i ndihmojmë refugjatët.

Procedurat e akomodimit, intervistimit, dhe verifikimeve nga autoritetet italiane, rreth orës 18 të së mërkurës u zbulua se 2 prej emigrantëve ishin minoren. Referuar marrëveshjes ata u dërguan në Itali. Dy të miturit u larguan nga Porti i Shëngjinit me mjet lundrues të Guardia di Finanza-s.

180 minuta më vonë, rreth orës 21 të mbrëmjes nga analizat dhe vizitat mjekësore, i njëjti vendim u mor edhe për dy azilkërkues të tjerë, pasi u konstatua se vuanin nga sëmundje të rënda që kërkojnë trajtim të specializuar.

12 emigrantet nga Shëngjini u transferuan me një minibus në orët e vona të së mërkurës në kampin e Gjadrit në Lezhë të shoqëruar nga policia shqiptare dhe karabinierët italiane. Duke përshëndetur mediat, ata u larguan për tu zhvendosur 20 kilometër me larg, në rreth orës 23:15 dhe mbërritën pak para mesnatës.

“Në ditën e parë të qëndrimit në kampin e Gjadrit 12 refugjatët tashmë po i nënshtrohen procedurave të reja të ndjekura nga autoritetet italiane.”

Ata plotësuan një formular ku kërkuan të përfitojnë statusin e azilantit.

Në ditën e dytë të qëndrimit të emigrantëve në kampin e Gjadrit, një vendim i Gjykatës së Romës, ndryshoi dinamikën. Sipas një verdikti të dhënë nga gjykatësit e seksionit të migracionit në Romë, ata duhet të kthehen menjëherë në Itali. Vendimi nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, por shkak është bërë një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, dhënë me 4 Tetor, pak ditë para hapjes së qendrave në Shëngjin e Gjadër.

Sipas kësaj gjykate, që një vend origjine të quhet i sigurt, ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe kundrejt çdo individi, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit. Italia i quan vende te sigurta origjine Egjiptin, Bangladeshin apo Tunizinë. Por sipas përcaktimit të Gjykatës Evropiane te Drejtësisë, Gjykata e Romës thotë se nuk mund të konsiderohen të sigurta.

Autoritetet Italiane në kampin e Gjadrit ua refuzuan kërkesat për azil 12 emigranteve të ardhur në Gjadër dhe ata janë në pritje të riatdhesimit. Por me vendimin e Gjykatës së Romës, ata nuk do të mund të dëbohen.

Vendimi zemëroi kryeministren italiane Xhorxhia Meloni e cila duke e cilësuar atë si të paragjykuar, tha se është e vendosur ta çojë përpara këtë çështje.

“Shpresoj që dikush të gjejë zgjidhje edhe për mua sepse unë jam ai që më pas duhet t’i gjej zgjidhjet. Dhe në fakt do të gjej një zgjidhje edhe për këtë problem. Ne nuk do të humbasim kohë, kam thirrur në takim kabinetin të hënën për të zgjidhur këtë problem, sepse kam ndërmend të eci përpara”.

Mëngjesin e të shtunës një anije e rojës bregdetare italiane mbërriti në Shëngjin për të marrë emigrantët. Këta të fundit pasi u transferuan me autobus nga kampi i Gjadrit, u nisën sërish për në Itali. Ata u shoqëruan nga forca të policisë italiane deri në Portin e Barit.

Në Portin e Shëngjinit në ditët në vijim pritet të vijnë grupi tjetër i emigrantëve nga Italia, të cilët do të akomodohen sipas marrëveshjes mes dy vendeve në kampin e Gjadrit.

Sipas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm në një kohë në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3000 veta. Për momentin kampi i Gjadrit mund të presë deri në 400 emigrantë, ndërsa zgjerimi i kapaciteteve do të vijojë në një fazë të dytë.

Brenda kampit funksionojnë tre zona. E para, dhe më e madhja, është qendra ku emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për kërkesën për azil. Në një tjetër zonë, me disa dhjetëra shtretër, është destinuar për ata të cilëve u është refuzuar kërkesa dhe do të duhet të riatdhesohen. Ndërsa një tjetër hapësirë është transformuar në një burg të vogël, për rastet e emigrantëve që mund të kryejnë krime brenda kampit.

Klan News