Mbesin në vend punimet për ringritjen e shtëpisë së Ismail Kadaresë në lagjen Palorto në qytetin e Gjirokastrës. Shkaku, sipas përgjegjësit të Zyrës së Zhvillimit në bashkinë e këtij qyteti, Arben Lenja është se nuk është bërë rimbursimi i punimeve të kryera deri tani nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Projekti i plotë i rikonstruksionit të shtëpisë së Kadaresë është kryer nga arkitektët të Insituticionit të Monumenteve të Kulturës që në fillim të vitit 2000 dhe financues në të do të ishte Ministria e Pushtetit Lokal dhe ajo e Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
Projekti që ka vlerën e 33 milionë lekëve parashikon përshtatjen e shtëpisë si një ansambël muzeal me dhoma dhe anekse përkatëse, sallën e bibliotekës, bujtinën e miqve, dhomën e lindjes së shkrimtarit dhe anekse të tjera autentike dhe të vizitueshme. Menjëherë pas djegies së shtëpisë, nga qeveria shqiptare u dha një fond prej 5 milionë lekësh, fond me të cilin filloi puna për ringritjen e saj.
Por, ka muaj që dera e shtëpisë vazhdon të qëndrojë e mbyllur dhe askush nuk të jep dot një përgjigje të saktë se kur do të rifillojnë punimet. Derën nuk e hapi dot as vetë ministrisja Esmeralda Uruçi e cila bëri gjatë vizitës së saj të fundit shumë premtime për trashëgiminë kulturore, por mesa duket nuk realizon dot as shtëpinë e Kadaresë./tvklan.al