Dy ditë pas atentatit të ndodhur në fshatin Zhupan të Fierit, policia lokale arrestoi Ari Alinanin, shoqëruesin e Nelgert Patës, në momentin e atentatit.
Alinani u arrestua nga policia e Fierit, me akuzën e kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës, në lidhje me atentatin e të dielës në mesditë, ku 34 – vjeçari Pata u qëllua me breshëri automatiku dhe mbeti i vrarë.
Burimet e policisë së Fierit thanë se gjatë deklarimeve të tij, 38 – vjeçari Ari Alinani, i njohur edhe me emrin Ilirjan Alinani, nuk ka treguar të dhëna të sakta mbi rrethanat e atentatit.
Në këtë ngjarje, ai gjithashtu mbeti i plagosur edhe vetë. Hetuesit e policisë thanë se Dini, iu ka pohuar se autorët kanë qenë dy persona me maska, të cilët qëlluan në drejtim të automjetit që ai drejtonte.
Për këtë shkak, ai ka pretenduar se nuk ka mundur t’i shquajë agresorët. Ndërkaq policia dyshon për të kundërtën.
Alinani u ndalua në spitalin Fierit, ku edhe po mjekohej pas plagëve të marra në atentat dhe u përcoll në dhomën e paraburgimit në spital, ku edhe është izoluar tashmë.
Tv Klan