Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat se Shqipëria ka dhënë autorizimin e saj për transportin e mallrave të rrezikshme në rrugë detare drejt Tajlandës. Nga foltorja e Kuvendit ku mbahet interpelancë për këtë çështje, kreu i qeverisë tha se edhe nëse këto mallra do ishin të rrezikshme, transporti i tyre në rrugë detare nuk është i ndaluar.

“Edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme, transporti në rrugë detare nuk është i ndaluar as nga legjislacion kombëtar, as ai ndërkombëtar. Përkundrazi, mbetjet teknologjike apo industriale transportohen rëndomë në rrugë detare në të gjithë rruzullin tokësor. Duke ndjekur procedurat e tyre në anije dhe porte në zbatim të kodeve ndërkombëtare detare që janë të njëjtat edhe në portet shqiptare. Procedura e eksportit të mbetjeve qofshin të rrezikshme ose jo bazohet në dispozitat e ligjit, që janë në përputhje me kërkesat dhe parimet e konventës së Bazelit, ku Shqipëria është anëtare që prej 1999. Autorizimi që lëshohet për eksport të mbetjeve qofshin të parrezikshme, apo e kundërta, ka një afat maksimal 1 vjeçar. Nëse kompania pas përfundimit të afatit do të kryerje eksporte të tjera duhet të paraqesë një aplikim të ri pranë dikasterit përkatës”.

Në rastin konkret kryeministri tha se vendi ynë nuk ka dhënë asnjë autorizim specifik.

“Pra ndjekja e çdo vije logjike, pa psikopatologjizuar vijën mendore të çon në përfundimin se autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar në këtë rast asnjë autorizim specifik për eksport të mbetjeve të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar dhe për rrjedhojë, pretendimi i rrjedhur me diarrenë e gojës së pahijshme që nuk paska pasur miratim nga Tajlanda dhe kontejnerët e linjës prestigjioze ndërkombëtare qenkan nisur nga Shqipëria vjedhurazi, është po aq i qëndrueshëm sa ç’mund të jetë e qëndrueshme shkarkesa likuide e asaj goje. Sepse nuk ka si të ketë miratim nga Tajlanda për ngarkesën në fjalë, kur vetë Shqipëria nuk ka pasur çfarë autorizimi të japë!”/tvklan.al