Shqipëria vijon të mbetet një nga destinacionet kryesore të turistëve italianë. Sipas statistikave të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për shtetësinë e turistëve të hyrë në periudhën pesë mujore Janar- Maj, turistët italianë edhe këtë vit renditen të dytët pas pushuesve nga Kosova.
Diferencë këtë vit është se nëse turistët nga Kosova kanë një ulje të peshës në total të turistëve, nga 40 % që ishte vitin e shkuar në 36% këtë vit, italianët kanë ardhur në rritje, duke zënë 9% të tolit të turistëve dhe në periduhën 5 mujore të këtij viti.
Statistikat e publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se në 5 muaj hynë 370,573 turistë italianë duke pësuar një rritje me 68% në krahasim me 5 mujorin e vitit 2023.
Por veç italianëve, në rritje janë edhe turistët nga Mali i Zi, që përbëjnë grupin e tretë më të madh të hyrjeve të turistëve me 8.4% për këtë periudhë të vitit.
Rritje të ndjeshme të interesit për të vizituar Shqipërinë e shohim tek shtetasit francezë që kanë një rritje 92% krahasuar me Maj 2023, pasi majin e këtij vitit kanë hyrë mbi 23 mijë ndërsa vitin e shkuar ishin rreth 12 mijë.
Po ashtu edhe shtetasit hollandezë kanë rritjen prej 95% krahasuar me muajin Maj të vitit paraardhës, por edhe për periudhën pesë mujore, rritja është edhe më e ndjshme pasi nga rreth 15 mijë që ishin vitin e shkuar për periudhën janar-maj 2024 numri i tyre është dyfishuar duke arritur në mbi 30 mijë.
Shifrat tregojnë se interes në rritje për të vizituar Shqipërinë për vitin 2024 kanë edhe turistët nga Spanja, Austria, Suedia, Polonia dhe Rumania, por edhe nga kontinetet më të largëta si Kina dhe India.
Shqipëria është kthyer në një destinacion interesant për të huajt, ku numri vizitorëve të huaj vijon të regjistrojë rritje dyshifrore muaj pas muaji. Për këtë vit qeveria parashikon mbi 14 milionë turistë, nga 10.5 që ishin vitin e shkuar.
Klan News