Koronavirusi renditet si shkaku i tretë kryesor i vdekjeve globale
Më shumë se 1 vit e gjysmë pasi pandemia e koronavirusit mbërtheu gjithë botën numri i njerëzve që kanë humbur jetën nga COVID-19 ka tejkaluar shifrën pesë milionë.
Disa ekspertë, përfshirë ata nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, besojnë se shifra e vërtetë mund të jetë dy deri në tre herë më e lartë se sa tregojnë të dhënat zyrtare. Numri i atyre që kanë humbur jetën nga koronavirusi është thuajse i barabartë me popullsinë e dy qyteteve të mëdha të SHBA-së, Los Anxhelesit dhe San Franciskos. SHBA, Brazili, India, Meksika dhe Britania e Madhe janë vendet të cilat janë goditur më rëndë nga Covid-19.
Kjo shifër që sado e frikshme duket, mbetet e ulët në krahasim me pandemitë e tjera, siç është i ashtuquajturi gripi spanjoll, i cili midis viteve 1918 dhe 1920 vrau nga 50 deri në 100 milionë njerëz. COVID-19 renditet shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në botë, pas sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.
Tani, virusi po prek më rëndë Rusinë, Ukrainën dhe pjesë të tjera të Evropës Lindore, pasi skepticizmi i qytetarëve ka penguar përpjekjet e vaksinimit. Në Ukrainë, vetëm 17% e popullsisë së rritur është plotësisht e vaksinuar ndërsa në Armeni vetëm 7%.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera tashmë janë duke ofruar doza përforcuese për qytetarët e tyere në një kohë kur miliona njerëz në të gjithë Afrikën nuk kanë marrë asnjë dozë të vetme.
Klan News