Pikëtakimi i turistëve të huaj që vijnë për të eksploruar Shqipërinë nga mali në det, është padyshim Tirana. Në atraksionet kryesore të kryeqytetit sot sheh më shumë turistë sesa shqiptarë.

“Kemi rënë në dashuri me Shqipërinë, kemi ardhur dje në Tiranë, na pëlqen historia, po vizitojmë gjithë qytetin, sheshin qëndror. Jemi nga Kanadaja.”

“Jam nga Polonia. Është dita jonë e fundit këtu në Tiranë, kemi shkuar dhe në Durrës, ndërsa nesër do vizitojmë Beratin. Çmimet janë të përballueshme.”

 “Jam nga Austria, njerëzit që kemi takuar janë shumë miqësor, më pëlqen vërtet kultura e makinave këtu, ka makina shumë të bukura. Në përgjithësi është një destinacion i përballueshëm dhe i lezetshëm për t’u vizituar.”

“Po na pëlqen shumë Tirana, do e eksplorojmë sot edhe më shumë do shkojmë te kisha ortodokse, po ashtu te Bunkarti.”

Fluksi i lartë i turistëve reflektohet edhe në rezervimet e shtuara, ku vetëm përgjatë fundjavës deri në 80% e strukturave akomoduese janë të zëna.

Zak Topuzi, shoqata e Hoteleri-Turizmit: Pothuajse 70-80% janë të zëna. Fundjava është pothuajse e zënë dhe grupet janë nga më të ndryshmet, gjermanë, italianë, francezë, nodrikë, nga vendet e Lindjes.

Çmimet e arsyeshme, thonë turistët janë një vlerë e shtuar për Shqipërinë turistike.

“Shumë lirë, fantastike, sidomos akomodimi, ne jetojmë në Skoci dhe atje çmimet janë trefish më të larta.”

“Deri tani çmimet kanë qenë shumë të arsyeshme, kështu që jemi shumë të kënaqur. Është hera jonë e parë dhe do doja të kishim më shumë ditë në itinerar për ta vizituar kështu që mbase do kthehemi sërish. Më pëlqejnë shumë parqet dhe arkitektura këtu. “

Që në muajin Maj, shumica e strukturave akomoduese në kryeqytet janë rezervuar.

Zak Topuzi, shoqata e Hoteleri-Turizmit: Dhe ky vit duket i mbarë, një pjesë e mirë e rezervimeve për sezonin kryesisht Qershor deri në fund të Gushtit janë gati 70% të rezervuara. Përmirësimet e dukshme në infrastrukturë, në qendrën e qytetit, konferencat që zhvillohen, i kanë dhënë jetë Tiranës.

Ky trend pritet të sigurojë kështu një tjetër sezon të suksesshëm turistik.

Tv Klan