Kryeministri Sali Berisha tha, se qeveria do të shënojë kthesë në drejtim të ngushtimit të deficitit buxhetor, kjo në kuadër të një politike kursimi që megjithatë siç tha Kreu i Ekzekutivit nuk prek investimet në infrastrukturë, reformën e qeverisë për moshën digjitale, e mbi të gjitha rritjen e pagave dhe pensioneve.

Sali Berisha: “Në këtë vit do të shënojmë pa cenuar aspak interesat e qytetarëve shqiptarë. Do të shënojmë një kthesë të vërtetë në përpjekjen tonë për të ngushtuar deficitin buxhetor, pra për të ecur drejt zvogëlimit të borxhit. Nuk është se unë personalisht ndaj dhe një shqetësim serioz për borxhin, se kur je borxhli i mirë nuk ke pse i druhesh borxhit dhe ne jemi borxhli të mirë, jemi të kualifikuar të tillë. Kjo politikë ashpërsie që ndërmerr qeveria frymëzohet dhe udhëhiqet para së gjithash nga interesat e mëdha të sektorit privat, të nxitjes së investimeve të huaja, të nxitjes së punësimit dhe të fuqizimit të ekonomisë së tregut”.

Në këtë logjikë që në fillim të mbledhjes së Grupit Kuvendor Demokrat, z.Berisha foli për projekte në rrugë rurale. Për këtë qëllim në Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë të disponueshme 400 milion dollarë.

Sali Berisha: “Po qëndrojmë gjithnjë e më fuqishëm në rrugët rurale, rrugë të cilat siç e dini në varësi nga gjendja e tyre jua lehtësojnë ose jua nxijnë jetën qytetarëve shqiptar. Krahas këtij fondi prej 400 milion, Drejtoria e Rrugëve dhe Ministria e Punëve Publike bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po shfrytëzojnë mundësinë e teknologjive të reja, të përdorura për rrugë ndërfshatëse, ose brenda fshatit, teknologji që përdoren gjerësisht në Gjermani-Zvicër dhe vendet më të zhvilluara të Evropës, që lejojnë mundësi ndërtimi më të shpejtë dhe më një kosto më të arsyeshme. Koha dhe kursimi i i kohës së qytetarëve shqiptarë dhe cilësia e rrugëve do të jenë objektivat tonë më madhorë”.

Qeveria ka marrë vendim ti atashojë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe projektet për ndërtimin e ujësjellësve të vegjël, për t’i dhënë zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të komunitetit.

Sali Berisha: “Në do bëjmë çdo përpjekje që shqiptarët të kenë ujë 24 orë. Banka Botërore ka marrë përsipër një shqyrtim tërësor nga studimi i projektit deri te financimi i sistemeve dhe i menaxhimit të ujërave në pellgun Tiranë-Durrës, që përbën dhe përqendrimin më të madh të popullatës dhe problemin më madhor për furnizimin me ujë por dhe menaxhimin në tërësi”.

Gjatë mbledhjes së Gupit Kuvendor Demokrat, Kryeministri paralajmëroi se në pak ditë do të merret dhe vendimi për dëmshpërblimin shtëpi më shtëpi të të gjithë banorëve në zonat e përmbytura./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi