4 dite përpara mbajtjes së kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste ku do të diskutohet për qëndrimin ndaj zgjedhjeve të 28 Qershorit si dhe kryetarin e ri të PS, pas ndërprerjes së mandatit të ish-kryetarit Rama, 8 anëtarë të kryesisë dhe sekretariatit të PS, kërkojnë mbledhjen urgjente të kryesisë së partisë.
Në shkresën e dërguar në mesditë sekretarit Ekzekutiv të PS, përmendet neni 27 i statutit të PS, sipas të cilit “Kryesia e PS mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj”, si shkak kryesor për mbajtjen e mbledhjes së kryesisë, e cila nuk është mbledhur për një kohë të gjatë pas zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Afrimi i ditës se kongresit të 29 Gushtit, si dhe fakti që mandati i kryetarit të PS është ndërprerë, thuhet në kërkesën e anëtarëve të kryesisë së PS, e vlerësojnë të nevojshme thirrjen e kryesisë për të diskutuar një sërë çështjesh.
Sipas nënshkruesve të kësaj kërkese, mbledhja e radhës e kryesisë së PS duhet të diskutojë për thirrjen dhe organizimin e grupit Parlamentar në prag të hapjes së sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, për përfshirjen në rendin e ditës së Kongresit të disa ndryshimeve në Statutin e PSSH, për përgatitjen dhe administrimin e Kongresit, për garantimin e transparencës gjatë ditës së Kongresit, si dhe për të diskutuar mbi organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS.
Anëtaret e Kryesisë dhe Sekretariatit: Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, Sajmira Pino, Eva Allushi, Mimoza Hafizi dhe Eldira Haxhiymeri./tvklan.al