Lajme Arkiva 2003

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e fundit disa studime urbanistike për zhvillimin turistik dhe mbrojtjen e disa zonave bregdetare si dhe ka anuluar disa vendime për projektet turistike të miratuara 3 vjet më parë. Kështu janë miratuar disa studime për ngritjen e parcelave turistike në Velipojë, ne Golem si dhe në Spille.

Vendimmarrja e sotme mbi të gjitha synon të rrisë sigurinë e investimeve të brendshme dhe të huaja në sektorin e turizmit për të shfrytëzuar gjithnjë e më mirë dhuratën që na ka bërë natyra dhe zoti që nga bregdeti qytetet turistike dhe zonat malore që vendi ynë i ka me bollëk.

Këshilli i Rregullimit te Territorit të Republikës ka anuluar dy vendime të dhëna në vitin ’95 dhe vitin 2000 për ndërtime turistike në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit, me qëllim ngritjen e hoteleve, kazinove dhe komplekseve sportive të golfit.

Këto vendime të mëparshme cenojnë ruajtjen e vlerave arkeologjike dhe natyrore të kësaj zone. Këshilli i Rregullimit të Territorit ka miratuar edhe një studim për tre portet turistike marinë që do ti shërbejnë zhvillimit të turizmit me jahte në bregdetin shqiptar./tvklan.al