Lajmi për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog nga Parisi ku ai u varros në prill të vitit 1961, ka rikthyer shpresën e pareshtur të familjes mbretërore për të vënë në vend amanetin e fundit të Mbretit.

Ky vendim i rëndësishëm i qeverise, që pritej prej kohesh, është përshëndetur nga vete trashëgimtari i Fronit Mbretëror, i biri i mbretit Zog, Leka I. 

Leka Zog I: “Një vendim i tillë është i madh, është një vendim që ndryshon diçka historinë dhe nuk është kollaj për t’u marrë. Tu qenë se është marrë tani, më ka gëzu jashtë mase”.

Por kur do të kthehen eshtrat?

Leka Zog I: “Ajo do të varet, për mbi vendimin e komisionit, se është pak herët me mujt me e ditë”.

Familja mbretërore përmes një deklarate e ka cilësuar vendimin e qeverise një veprim fisnik në respekt të figurës Mbretit Zog dhe trashëgimtarëve të tij, ku një falënderim i veçantë shkoi për Kryeministrin Sali Berisha.

Julinda Kamberi: “Ne familja mbretërore shqiptare, falënderojmë kryeministrin e Shqipërisë, shkëlqesinë e tij zotin Sali Berisha, për veprimin fisnik në respekt të figurës së mbretit Zogu i parë dhe familjes mbretërore shqiptare. Gjithmonë kemi pasur bindjen se respekti për mbretin Zogu l për kontributin  tij shtetformues dhe veprimtarinë e tij patriotike është respekt për historinë e popullit shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike. Shqiptarët do të jenë mirënjohës përjetë mbretit Zogu l për luftën, sakrificat dhe përpjekjet e tij të pa reshtura në interes të kombit. Zanafilla e të cilave fillon në vitin 1912 e deri me 9 prill 1961 ku ai ndërrojë jetë në Paris”.

Me krijimin e Komisionit qeveritar shtetëror, rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog është vetëm çështje kohe, dhe pritja e vendosja e tyre në varrezën mbretërore do të përmbushet me tërë ceremonialin që i takon arkitektit të shtetit modern shqiptar./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani