Shkrimtari, dramaturgu dhe skenaristi i njohur i filmave, Teodor Laço, ka promovuar mes miqsh e studiuesish romanin e tij më të fundit “Mjegull”. 

Një roman historiko-letrar që i kushtohet një plage të vjetër të shqiptarëve, luftës italo-greke të viteve 39-41 të shekullit të shkuar, e zhvilluar kryesisht në Shqipërinë e jugut.

Me metaforën “Mjegull” që në titull, njohësi i thellë i psikologjisë së personazheve dhe raporteve të tyre me historinë e asaj kohe, sjell për lexuesit shqiptar një dëshmi sa historike aq edhe letrare të një lufte për jetën dhe ekzistencën mes dy zjarresh.

Teodor Laço: “Ishte një periudhë kur fati i shqiptarëve nuk varej më nga dëshira e tyre ose nga etja e tyre për liri  ose nga dëshira për të çliruar vendin. Por afti i tyre në ato zona ku zhvillohej lufta, në trevat e jugut kryesisht, varej nga luftimet e dy ushtrive italiane dhe greke. Kjo ka qenë një periudhë e paprekur nga letërsia jonë në përgjithësi, pak e trajtuar ndoshta edhe nga historia dhe meqenëse vitet e fundit unë pata mundësinë të njihem me disa materiale dokumentare  që kanë të bëjnë me periudhën e luftës italo-greke. Pata një vizion më të qartë të historisë.”

“Mjegull” i botuar nga Tirana Times është ndërtuar mbi personazhe të trilluar, por romancieri Teodor Laço, i kanë shërbyer për blatimin e këtij rrëfimi të gjatë, kujtime dhe mbresa të atyre që e kanë jetuar atë epokë lufte mes kronologjisë historike dhe rrëfimit artistik, që shumëkush mund ta ketë në bibliotekën e tij./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani