Emisioni “Stop” ndodhet në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, pranë ish-tregut të fruta-perimeve, që sot është jashtë funksionit. Denoncuesja Marsela Doma e posedon këtë pronë bashkë me 3 të tjerë Aleksandër Doma, Nenta Kacemi dhe Nazmie Kristjani. Në vitin 2018 pronarët bëjnë kontratë qiraje me zotin Adriatik Skënderaj, pastaj me të vëllain Ardjanin dhe gruan e tij Dorinën.
Nga 2018-ta ky treg ka funksionuar, por më pas u mbyll dhe në vendin e tregut mbetën tezgat, arkat e sendet e tjera. Ish-qiramarrësi Adriatik Skënderaj, thotë, se tezgat janë pronë e Bashkisë, gjë që nga bashkia mohohet.
“Unë quhem Marsela Doma, vajza e Aleksandër Domës. Zotëria falimenton, mbaron dhe kontrata dhe në bazë të kontratës zotëria duhet të hiqte të gjitha bazat materiale dhe ta linte tokën në zonën siç e kishte marrë. Zotëria nuk i heq fare këto,” thotë për mikrofonin e “Stop” denoncuesja.
Gazetarja: Pse si justifikohet, ka ndërmend ta hapë përsëri?
“Nuk e di. Mirëpo këto plehrat u bënë kaq kohë që rrinë këtu dhe i kam thënë ‘merri hiqi ose t’i heq unë’, por nuk pranon në mënyrë kategorike. Më ka thënë ‘jo, nëse ti i heq këto do të kesh punë me mua personalisht’, për pronën time që e kam me certifikatë. I kam bërë shkresa IMT-së dhe IKMT-së. Përgjigja e tyre ka qenë në fillim që ‘ne nuk e dimë se e kujt është kjo, kemi nuk e dimë se i kujt është ky treg pa leje,” shton më tej Marsela Doma.
Gazetarja: Pra është treg pa leje.
Marsela Doma: Po është treg pa leje, nuk është treg as i bashkisë dhe as i Njësisë 5. Kur shkoj tek Njësia 5 më thonë ‘jo nuk është e jona’, marr informacione nga bashkia në rrugë zyrtare dhe më thonë që nuk është as tregu i tyre në mënyrë absolute dhe i them zotërisë merri hiqi, nuk i pranon t’i heqë. Kur hyj unë për t’i pastruar më vjen patrulla e policisë dhe më thotë “ti s’ke të drejtë të pastrosh këto plehra’. Tani unë nuk kam parë që të vija patrulla e policisë në pronën time dhe me certifikatë pronësie dhe të më thotë që ti s’ke të drejtë të heqësh këto plehra. Prandaj u drejtova edhe tek emisioni “Stop” sepse u bëra dy vjet që po merrem me këtë.
Për këtë problematikë “Stop” komunikon me ish-qiramarrësit e këtij tregi që e mbajnë peng, Adriatik Skënderaj.
Marsela Doma – Të kam marrë disa herë në telefon për këtë çështjen e tregut, kam pritur të heqësh këto plehrat, u bë kaq kohë, mirëpo nuk ke vepruar.
Adriatik Skënderaj – Kush je ti, se s’…?
Marsela Doma: Si s’më njeh ti mua?! Marsela jam, pronarja e truallit.
Adriatik Skënderaj – Po s’e di, se s’ta kam regjistruar numrin. Ke ndërruar numër ti?
Marsela Doma: Adriatik dëgjo tani, lëri këto fjalë kemi kaq kohë që diskutojmë, debatojmë dhe zihemi. Të lutem shumë më ke lënë këto plehrat këtu tek tregu, tregu është i yti është ndërtim pa leje dhe të kam thënë disa herë eja hiqi këto mbetje.
Adriatik Skënderaj – Tezgat janë… Nuk janë plehra, janë pronë e Shtetit, janë pronë e Bashkisë së Tiranës.
Marsela Doma – Nga bashkia është konfirmuar që ajo nuk është treg i bashkisë dhe as i Njësisë 5.
Adriatik Skënderaj – Po mirë, ok!
Gazetarja – Përshëndetje zoti Adriatik, jam gazetarja e emisionit “Stop” si jeni?
Adriatik Skënderaj – Po! Përshëndetje! Si jeni ju?
Gazetarja – Tek emisioni “Stop” është ankuar zonja e cila pretendon se kjo zona këtu është prona e saj me certifikatë, unë po shikoj këtu edhe një kontratë qiraje mes palëve. Kjo kontratë qiraje nuk është rinovuar, tani unë po shoh që ju pasi keni përfunduar punën ka disa material, të lutem brenda mundësive duke qenë se këto i keni vendosur ju, mund t’i lëvizni zoti Adriatik.
Adriatik Skënderaj – Po. Para 6-7 muajsh ose 1 vit është bërë një trotuar, ndaj dhe vëllai është tërhequr dhe e ka lënë. Dhe ato tezgat, që ta kuptosh edhe ti, janë pronë e Bashkisë, nuk janë të vëllait.
Gazetarja – Jeni i sigurt sepse jemi interesuar tek bashkia dhe kemi një kthim-përgjigje që ky tregu këtu është ndërtim pa leje.
Adriatik Skënderaj – Po. Çfarë doni nga vëllai?
Gazetarja – Kontrata ka përfunduar të lirohet vendi.
Adriatik Skënderaj – Po, jo! Po flas unë me vëllain.
Pas ndërhyrjes sonë, u hoq baza materiale e tregut dhe prona u lirua./tvklan.al