Mbyllet procesi i maturës shtetërore. 26,600 maturantë dhanë këtë të hënë provimin e fundit, lëndën me zgjedhje. Por ashtu ai edhe në tre provimet e mëparshme edhe në këtë provim 15 minuta nga nisja zyrtare e orarit doli teza nëpër rrjete sociale.
Teza e parë që doli ishte ajo e Ekonomisë, më pas dolën edhe tezat e tjera, Fizika, Qytetaria si dhe Biologjia. Maturantët në mbyllje të procesit të provimit të maturës thanë se provimet që kishin zgjedhur ishin të një niveli mestar.
Kryesisht maturantët si provim me zgjedhje japin ato lëndë që kanë lidhje me degët që dëshirojnë të studiojnë në universitet.
Deri më tani kanë dalë rezultatet e Gjuhës së Huaj dhe të Gjuhës Shqipe e Letërsisë. Provimet të cilat i dhanë në total 26,453 maturantë. 309 prej tyre kanë ngelur, pasi janë vlerësuar me notën 4, ndërsa ekselentë, të cilët kanë marrë pikët maksimale janë vetëm 31 maturantë në rang vendi, ndërsa vitin e shkuar ishin vetëm 15. Kalueshmëria për provimin e Gjuhës dhe Letërsisë është 98.83% ndërsa nota mesatare është 7.25, duke u përkeqësuar në krahasim me maturën 2023, që ishte 7.68.
Pas marrjes së rezultateve të provimeve të maturës, maturantët do të vijojnë garën për në universitet duke plotësuar formularin A2 në fund të muajit Korrik.
Klan News