Është mbyllur procesi për dhënien e titujve të pronësisë për shtëpitë e trashëguara në Himarë dhe kryeministri shkoi për të dorëzuar disa nga certifikatë për banorët përfitues.

“Kemi bërë në 6 muaj atë që pritej prej shumë vitesh”, tha Rama.

Premtimi i radhës nga Rama është pajisja me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, i njohur si AMTP, një proces, i cili është shumë i komplikuar në zonën e Himarës e që ngrihet si shqetësim dhe nga Athina zyrtare për banorët e minoritetit grekë.

“Siç bëmë realitet, së bashku me kryetarin e bashkisë për mbylljen e këtej procesi, ashtu do të bëjmë realitet dhe për mbylljen e procesit të AMTP-ve”, tha Rama.

Meritën për përshpejtimin e procesit ia njeh kryebashkiakut të ri, që sipas Ramës është Vangjeli i duhur pë Himarën e krahasimin pa e përmendur me emër, e bën me kreun e PBDNJ-së.

Merita e meritave në këtë punë i takon vetëm Vangjel Tavos. Keni kapur Vangjelin e duhur mos e lëshoni se po qe për punë një Vangjel ka kjo zonë, po qe për sherr është një Vangjel tjetër, po atë mbajeni larg, e dini ju këtë punë”, tha Rama.

Pikërisht Vangjel Tavos ia njeh meritën që po shtyn dhe qeverinë për një sërë projektesh që janë gati për Himarën e që do të rrisnin më tej turizmin e zonës, por dhe vlerën e pronave për himariotët dhe gjithë bregdetin e jugut.

“Diskutojmë tashmë për një parking poshtë fushës. Kemi në plan të bëjmë një ndërhyrje shumë të bukur në qendër të Himarës”, tha Rama.

Tv Klan