Mbyllet sot edicioni i 6 i Panairit të Librit, në fund të tij ky panair i sivjetshëm ka numëruar një numër rekord lexuesish të cilët e kanë vizituar atë gjatë këtyre ditëve, duke shënuar një afrim gjithnjë e më të madh të publikut me librin. Organizatorët dhe botuesit pjesmarrës në këtë panair duken tepër të kënaqur nga ky fakt pasi kjo bën që të rritet edhe cilësia në botimet shqiptare.
Fatmir Toçi: “Rezultati kryesor duhet parë me interesimin e publikut, lexuesit të Tiranës dhe mendoj se është panairi që ka ngjallur më shumë interes në këto vite sipas një sondazhi që ne theksuam në konferencën e shtypit, rreth 70 mijë vizitorë gjë që për popullsinë e Tiranës do të ishte një numër rekord. Ky ishte një panari që kishte në stendat ekspozuese rreth 10 mijë tituj, nga të cilat 1200-1500 ishin tituj të ri, aq sa është edhe prodhimi libror i një viti fuqie të prodhuesit shqiptarë”.
Arlinda Dudaj: “Mund ta themë me bindje që këtë vit panairi ka pasur një fluks shumë më të madh lexuesish nga vitet e tjera. Për ne si shtëpi botuese ka qënë një sukses i plotë, ka shënuar një hop cilësor të jashtëzakonshëm, patëm autor të rinj, patëm librin e Hillary Clinton i cili është tërhequr jashtë mase”.
“Unë mendoj se ka qënë një frekuentim i jashtëzakonshëm, do të thoja shumë i mirë, por më pëlqen fjala i jashtëzakonshëm. Jo pse vitet e tjera nuk ka pasur frekuentues, por ky vit ka pasur diçka të veçantë, lexuesit meqë koha ishte e bukur, të veshur mirë tërë respekt para librit, u përulën me nderim ashtu si do të përuleshim të tërë”./tvklan.al