Të gjithë kandidatët, rreth 29 mijë, që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z prej 15 korrikut kanë nisur procedurat për aplikimin në universitet duke hedhur të dhënat në sistemin U-albania.
Drejtori i rrjetit akademik shqiptar Arjan Xhelaj tha se maturantët kanë afat deri më 29 Korrik të hedhin të dhënat në sistem për tu bërë pjesë e garës në universitet. Pagesa e aplikimit për maturantët mbetet e pandryshuar, dhe është 2 mijë Lekë.
Arjan Xhelaj: Deri në 29 Korrik vijon kjo pjesa e hyrjes në portal, shkarkimi i mandat pagesës dhe konfirmimi nga ana e shkollave. 14 ditë mëse mjaftueshëm. Për momentin kemi 1/3 e maturantëve që e kanë filluar procesin administrativ dhe besoj që së paku nga numrat që kemi rreth 80% e tyre do të aplikojnë në formularin A2. Kjo ka qenë pak a shumë edhe ecuria e viteve të kaluara.
Në fund të muajit Korrik, maturantët do të përzgjedhin online 10 degët ku dëshirojnë të kryejnë studimet e larta.
Arjan Xhelaj: Portali hapet në datën 30 Korrik dhe mbyllet me datë 4 Gusht. 24 orë i hapur. Hidhen 10 preferenca. Duhet të ruajnë pjesën e fundit të mandatpagesës ku kanë kodin e aplikimit dhe në momentin që kanë vendosur për 10 degët fusin kodin e aplikimit dhe konfirmojnë aplikimin. Portali të ndihmon vetë në pjesën e aplikimit sepse maturantit i shfaqen vetëm ata programe studimi për të cilat ai plotëson kriterin e mesatares dhe kriteret shtesë.
Xhelaj sqaron se veç aplikimit për formularin A2 ku zgjedhin degët, për ato programe studimi që ka konkurs duhet të ndjekin dhe faqet e universiteteve.
Klan News