Kryedemokrati Sali Berisha foli për gazetarët pas takimit me drejtuesit politikë të PD-së në qarqe. Ai foli për seancën e sotme parlamentare, ku theksoi se socialistët e braktisën sallën sepse nuk përballonin dot interpelancën me Manastirliun. Përgjigjen e dha teksa u pyet për protestat, të cilat tha se gjithmonë janë në rend të ditës në diskutimet mes demokratëve.
“Do ketë protesta por është një aktivitet “non stop” në funksion të fitores. Sepse po bëhet gjithçka që të ecim të siguritë drejt fitores së ardhmes. Protestat janë gjithnjë rendi i ditës, por siç e shihni ju kjo është një organizatë në shkërmoqje. Sot e patë ç’bënë. E braktisën parlamentin sepse nuk përballonin dot interpelancën me ministren Manastirliu në të cilën ajo del moralisht pothuajse autore e vrasjes. Një ministre që lëshoi një komunikatë duke bërë vlerësim maksimal për veten e vet kur fëmija u vra në gjirin e shkollës ajo ka shënuar një rekord të zi botëror. Ata ia mbathën, ikën nga parlamenti”, tha Berisha.
Ai pohoi se do të ketë një marshim më 8 Dhjetor, Ditën e Rinisë, por si do të zhvillohet ai, në dorë e kanë strukturat rinore të partisë.
“Do ketë një marshim, por organizimin e ka forumi rinor, e kanë të rinjtë. Kudo që janë jam me ta”, tha Berisha.
Po ashtu theksoi se do të zhvillojë takime në diasporë, por nënvizon se puna më intensive është brenda në vend.
“Do shkoj edhe në diasporë, do shkoj në një seri takimesh, por t’ju them atë që është se duhet një punë shumë intensive këtu brenda pavarësisht se konstituenca e shqiptarëve jashtë është planeti, por truri dhe gjithçka është në dokumentet e këtushëm”, tha Berisha.
Ai theksoi se para Vitit të Ri do të nisë një tur takimesh brenda vendit.
“Asgjë nuk ka më të rëndësishme se sa takimi në shtëpi, në dhoma, në kafe, kudo, me qytetarët. Është e pazëvendësueshme ajo dhe ne këtë duhet të bëjmë”, tha Berisha./tvklan.al