Më 8 Shkurt në orën 17, Partia Demokratike do të zhvillojë protestën e radhës kombëtare kundër qeverisë “Rama”. Kryetari i PD, Sali Berisha tha se rruga e vetme e betejës ndaj mazhorancës, të cilën e konsideron një organizat kriminale, është mosbindja civile.

“Partia Demokratike fton me datën 8 Shkurt, protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria. Ditën e shtunë, për të treguar mospajtimin e plotë me këtë grusht kriminelësh që bënë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë”, tha Sali Berisha.

Deklaratat e bëra nga në arrati të ish-zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj ndaj Kryeministrit Rama dhe eksponentëve të tjerë të qeverisë, Berisha i cilëson si konfirmim të akuzave që ka bërë PD ndër vite.

“Arben Ahmetaj zhveshi dje lakuriq Edi Ramën, si arkitekti i krimit më të madh që mund të ketë ndodhur në historinë e vendit, kanabizimit të Shqipërisë. 10 mijë Euro të paguara në hotelet më të kushtueshme, më të shtrenjta të Bolzanos kur shkonte për detoksikim. Fut kokainë ky dhe shkon pastaj të shpëtojë trupin atje”, tha Berisha.

Kryedemokrati akuzoi drejtësinë se po lënë të lirë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, për të cilin thotë se tashmë është vërtetuar përfshirja e tij në aferën e inceneratorëve.

“Pse Erion Veliaj qarkullon i lirë pasi ka firmosur djegësin e Tiranës ku është vetë kryetar bashkie. Arben Ahmetaj deklaroi se Erion Veliaj djegësin e ka firmosur me urdhër dhe presion të fortë të Edi Ramës. Vjedhje e cila mbulohet nga Altin Lala dhe organizata tjetër kriminale e skrapit”, tha Berisha.  

Teksa akuzon qeverinë për vjedhje dhe keqmenaxhim të taksave, Berisha kërkon që qytetarët duhet të reagojnë ndaj çdo padrejtësie së bashku me opozitën.

Klan News