Ky është momenti kur Azgan Mërnica, i akuzuar për vrasjen e policit Novruz Cenaliaj, shoqërohet nën masa të forta sigurie nga dy furgonë të FNSH-së dhe futet në Gjykatën e Fierit i veshur me antiplumb. Seanca për dhënien e masës së sigurisë zgjati përtej orarit të përcaktuar, pasi asnjë avokat nuk u paraqit në mbrojtje të tij.
Sipas procedurës, shteti cakton nje avokat kryesisht. U thirrën disa emra, por një pjesë e tyre nuk pranuan ta përfaqësonin. Pas një ore pritjeje u caktua si avokatja e caktuar nga shteti, Arvenola Dore. Në gjyqin e zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se me një ftohtësi, 23-vjeçari Mërnica pranoi aktin, duke mos thëne asnjë fjale tjetër gjatë seancës.
Gjyqtarja Dajana Ndrea caktoi masën “arrest me burg” për Azgan Mërnicen. Ndaj tij, Prokuroria e Fierit ka ngritur dy akuza, atë të vrasjes të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të armëmbajtjes pa leje. Sakaq, asnjë prej familjareve te Mërnicës nuk qenë të pranishëm në seancën e dhënies së masës së arrestit.
Mesditën e 13 Majit, në Baltëz të Fierit, 23-vjeçari qëlloi me armë pistoletë policin e Shqiponjave, Cenalia. Gjithçka nisi pas nje konflikti të çastit gjatë gjatë shkëmbimit me makina mes tij dhe të efektivit Cenaliaj. Autori pas këtij akti tragjik u arratis. Vetëm pas 3 ditë kërkimesh, Mërnica, pas negociatave të policisë dhe familjarëve te tij pranoi të vetëdorëzohej.
Tv Klan