Efektivi i policisë që negocioi për vetëdorëzimin e 23-vjeçarit Azgan Mërnica është i njëjti punonjës që arrestoi babain e tij në vitin 2002 për vrasjen e kunatit.

Ky detaj u bë i ditur nga gazetarja e Tv Klan Bleona Metushi në emisionin Opinion në Tv Klan.

Ajo sqaroi se gjatë 48 orëve që vrasësi i policit ishte në arrati, ka dyshime të forta se është ndihmuar nga familjarë të tij pikërisht në zonën ku ai fshihej.

“Ka pasur një avantazh pasi vendi ku u fsheh ishte një vend ku ishin me familjarë dhe persona të tij. Ai vetë ka deklaruar që është fshehur në pyll, megjithatë për shkak të gjendjes në të cilën u vetëdorëzua hetuesit dyshojnë që është ndihmuar nga të afërm të tij.

Gjatë kontrolleve pranë punonjësve kanë qenë daja dhe babai. Ata kanë qenë pala negociatore. Ka qenë një ultimatum që u vendos pas ngushtimit të perimetrit nga forcat RENEA. Policia e kishte të sigurt faktin që 23-vjeçari nuk ishte larguar nga zona.

Pjesa negociatore nga ana e policisë ka qenë një person i cili në vitin 2002 arrestoi të atin e 23-vjeçarit që akuzohej për vrasjen e kunatit, është akuzuar dhe dënuar për vrasje dhe ka qenë i njëjtin punonjës policie që ka bërë negociata me të atin dhe dajën.

I qetë duket në video, ashtu ka qenë edhe në dëshminë që ka dhënë përballë hetuesve. Hetuesit dyshojnë që dëshmia e bëjnë atë të krijojë rrethana lehtësuese për ngjarjen.

Hetuesit e kanë pyetur për armën që ende nuk është gjetur, ai ka thënë që e ka gjetur atë ditë armën dhe do ta dorëzonte në drejtorinë e policisë. Deri tani nuk ka shfaqur pendesë”, u shpreh gazetarja Bleona Metushi.

/tvklan.al