Ku bëhet fjalë për librat, të gjithë e kemi një në shtëpi që në raftin apo bibliotekën tonë na duket sikur “shkëlqen” më shumë se të tjerët. Secili me libër me vete, të ftuarit në studion e “Rudina” treguan të preferuarin e tyre, domethënien e të cilit nuk kishin për ta harruar kurrë.

Jori Vila tregoi se libri që i ka ndryshuar jetën “kokë e këmbë”, siç shprehet vetë ajo, është në fakt libri më i lexuar në botë, bëhet fjalë për Biblën. E duke vazhduar më tej të dytin në listë ajo rendit “Magjistarin e Ozit” librin e parë që ka lexuar dhe që për të mbarte mesazhe shumë domethënëse.

Rudina Magjistari: Jori cili është libri yt që ti ke zgjedhur sot të ndash me ne?

Jori Vila: Në fakt janë dy libra që kanë ndikuar kokë e këmbë në jetën time dhe njëri prej tyre është libri më i lexuar në botë, i cili është Bibla. Besoj se çdo besimtar e ka lexuar dhe jeton me Biblën e di se çfarë ndryshimi mund të ketë në jetën e tij. Megjithatë libri im dytë shumë i rëndësishëm për mua është libri i parë që kam lexuar kur kam qenë fëmijë, që e kam lexuar vetëm dhe është “I madhërishmi Magjistari i Ozit”.

Rudina Magjistari: E ke pasur si një lloj modeli që i je referuar gjithmonë.

Jori Vila: Po për faktin që është një libër që duket si fëmijëror, si një tregim fëmijëror, por ka shumë metafora dhe simbolika që lidhen në çdo fazë të jetës edhe për një të rritur. Sepse Dorontia pas atij ciklonit që përfundon në një botë tjetër, në botën e Ozit gjen disa miq, bashkudhëtarë për të kërkuar Magjistarin e madh të Ozit. Luani kishte nevojë që të bëhej trim, njeriu i hekurit kishte nevojë për një zemër, kurse dordoleci kishte nevojë për trurin. Pra kurajoja, zemra dhe mençuria janë mesazhe apo sfida që çdo person i ka në mos njërën, tjetrën, apo të gjitha së bashku që i kërkon në jetë dhe ajo që zbuloj në fund është në fakt që Ozi nuk ishte një magjistar, por ishte një njeri i thjeshtë që merrte vesh nga teknologjia dhe arrinte të krijonte iluzionin e fuqisë dhe të gjërave të madhërishme dhe të magjisë. Ne nuk duhet të shohim që të kërkojmë magjinë, është mesazhi i vërtetë i librit apo të gjërave që të bien nga qielli, por zgjidhjen e sfidave apo të atyre që ne i konsiderojmë si mungesa personale në fakt mund të arrijmë që t’ia dalim vetë dhe të gjejmë zgjidhjen vetë dhe në fund Dorontia kthehet në shtëpi pasi kupton se zgjidhjen e kishte në këpucët e veta të kuqe që i kishte të veshura./tvklan.al