Teksa uroi kryedemokratin Sali Berisha për lirimin e tij, analisti Baton Haxhiu tha se vendimi i drejtësisë shqiptare rreth një vit më parë vetëm sa i dha “aurën” e një njeriu të fortë.
“Më i rëndësishëm do të ishte në arrest shtëpiak, si figurë politike. Ia uroj këtë lirim, që ndoshta do e kthejë jetën politike në realitet. Nga dritarja e ka luajtur rolin e viktimës. Nuk mbahet një njeri në arrest shtëpiak për një vit, pa kuptim. Nëse do t’ja japësh aurën e një njeriu të fortë e të qëndrueshëm, bën këtë që ka bërë drejtësia shqiptare me Berishën.”
Mbrëmjen e kësaj të mërkure në “Opinion”, Haxhiu shtoi se “në pavetëdije, Berisha po punon për kryeministrin Edi Rama”. Këtë e argumentoi duke thënë se kreu i PD nuk do sjellë ndonjë ndryshim, pasi e ka konsumuar vetveten politikisht.
“Jeta në liri kërkon veprim, imagjinatë edhe vizion. Unë nuk pres këto të treja që Berisha i ka në këtë moment sepse e ka konsumuar vetveten poliitikisht, pres që të denoncojë sa më shumë. Mund të quhet një veprim…Unë nuk pres as fjalor tjetër, as mobilizim tjetër. E kam thënë dhe e mbaj qëndrimin, që pavetëdijshëm kryetari i PD punon për Edi Ramën. Nuk jep ndonjë rezultat për PD-në dhe unë besoj që është problem për të sjellë diçka në zgjedhjet e Majit”, tha Haxhiu.
Ish-kryeministri Sali Berisha u lirua pas 333 ditësh i izoluar në banesën e tij, me vendim të GJKKO-së lidhur me një aferë të ish-klubit sportiv “Partizani”.
/tvklan.al