Historia e Nora Malajt me kujdesin ndaj të moshuarve nis që fëmijë. Në një rrëfim për “Shije Shtëpie” në Tv Klan, pedagogia kujton nënën e saj që kujdesej për vjehrrën.
Malaj ka të ngulitur në kokë urimin e gjyshes ndaj nënës së saj, të cilën e falenderoi sepse ishte kujdesur për të “si nëna për bijën”. Malaj thotë se asokohe nuk e kuptoi këtë fjalë, por gjithçka do të bëhej e qartë disa vite më vonë.
Nora Malaj: Kam qenë fëmijë, kam qenë në moshën para adoleshencës, pas pubertetit, diçka më e rritur, në moshën 13-14 vjeçare kur gjyshja nga babai u shtrua dhe erdhi në Tiranë, jetonte në Shkodër për të operuar sytë, për të hequr perden e syrit dhe ndërkohë nuk kishte mundësitë për të shërbyer vetë, por një grua shumë e fortë, mirditore e fortë dhe sojlie, fisnike që nuk të vinte në vështirësi. Mbaj mend që ime më dhe neve, unë dhe ime motër shkonim dhe i shërbenim gjyshes në spital derisa u bë mirë, erdhi qëndroi dhe disa ditë te ne pastaj u kthye rishtazi në shtëpinë e saj. Një ditë teksa bisedonte me time më, i thotë mamasë sime: “Ti moj bijë u bëfsh mbretëreshë se ti nuk më ke shërbyer si bija nënës, por si nëna bijës”. Atëherë nuk e kuptova që ime më t’i shërbente gjyshes sime sikur ishte mamaja e gjyshes. Kur u fejova, u martova dhe pashë gjyshen e bashkëshortit që ishte edhe ajo një grua sojlie me një histori me emra që kanë bërë historinë në këtë vend, nëna ishte e paralizuar dhe ishte në kushte shumë të vështira se atëherë nuk kishin kushtet që kanë tani, për t’i bërë të gjitha nevojat e fekondimit apo të gjërave, kishim hapur te shtrati i saj një si gropë dhe poshtë kishim vendosur një legen që t’i shërbenim në mënyrë që ajo të mos krijonte probleme.
Pas martesës së djalit të Norës, prindërit dhe vjehërrit e saj u sëmurën njëkohësisht. Për të ishte një stërmundim sepse i duhej të shkonte në spital dhe të kujdesej për prindërit e njëkohësisht kur kthehej në shtëpi duhej të bënte të njëjtën gjë për vjehërrit. Ajo e kujton si një moment shumë të vështirë, por aty edhe kuptoi vlerën e urimit të gjyshes ndaj së ëmës.
Nora Malaj: Ime vjehrrë kaq shumë u rëndua sa filloi trupi t’i hapet me disa plagë që janë plagë që po nuk i mjekove, tërë shtëpia merr erë. Atëherë u detyrova të bëja këtë gjë ndërkohë që nuk e kuptoja deri sa e ndiente dhimbjen dhe deri sa unë duhej të isha e kujdesshme për ta shërbyer këtë gjë. Në një moment të caktuar, kur unë po e mjekoja time vjehrrë, ajo më thotë që “moj infermiere sa e mirë që je” se në një moment i kishte ikur ajo e menduara, jo gjithë kohën por në atë moment. “Nuk e di, por ti më ngjan mua me nusen e djalit tim që unë e kam shumë të mirë. Vetëm ajo mund të ma bëjë këtë mjekim”./tvklan.al