Zv/Presidenti amerikan dhe Presidenti ukrainas u takuan për të parën herë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Volodimir Zelensky e konsideroi të frytshëm takimin me Vance dhe tha se duhet hartuar një plan paqeje për të ndalur Vladimir Putinin.
Zv/Presidenti amerikan Vance dhe Presidenti ukrainas Zelensky zhvilluan të parin takim të nivelit të lartë, që pas nismës së Donald Trumpit për paqen në Ukrainë.
Pas takimit të zhvilluar si pjesë e Konferencës së 61-të të Sigurisë së Mynihut, liderët e konsideruan takimin “të frytshëm”.
Zelensky: Të punojmë më shumë për të realizuar planin, që të ndalojmë Putinin dhe t’i japim fund luftës. Ukraina e dëshiron shumë paqen, por kërkojmë garanci për sigurinë.
Vance: Takimi ishte i frytshëm. Gjërat janë duke u zhvilluar. SHBA kërkon një paqe të qëndrueshme dhe jetëgjatë mes Ukrainës dhe Rusisë.
Më herët gjatë ditës, Zelensky u tha të pranishmëve në konferencë se nuk do të pranonte kurrë lëshimin e territoreve, siç është propozuar nga Uashingtoni që i bëri thirrje Kievit të hiqte dorë nga kushti që Ukraina të kthehej në kufijtë para 2014-ës dhe nga ambicia për anëtarësim në NATO.
Zelensky tha se NATO duhet të jetë garante e sigurisë së Ukrainës, edhe nëse nuk mundet të bëhet anëtare e aleancës Veri-Atlantike.
Qasja e re e Uashintonit është kritikuar edhe nga aleatët e tjerë të NATO-s. Në konferencë, Vance kritikoi Bashkimin Europian se po privon fjalën e lirë. Në këtë samit 3-ditor marrin pjesë mbi 50 krerë shtetesh dhe 150 ministra.
Tv Klan