Zhvillohet sot në seancë plenare interpelanca me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj për mungesën e ilaçeve te “Onkologjiku”.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj ka nxjerrë audion e një babai, i cili thotë se ka humbur të birin si pasojë e mungesës së medikamenteve në spital.
Më pas, ministrja Koçiu i është përgjigjur Shehajt duke i thënë se nuk duhet të trajtohen sëmundjet për kredo politike teksa ka shtuar se nuk është Kuvendi, vendi i duhur për trajtimin e rasteve specifike.
Agron Shehaj: Kam kërkuar këtë interpelancë sepse dua që ministrja të ju përgjigjet pyetjeve të qytetarëve sepse nuk e di çfarë përjeton në spitalet shtetërore. Vetëm ata që përballen me mungesën e ilaçeve, ata e dinë shumë mirë se si është gjendja. Bujar Balla, 39 vjeç humbi jetën për mungesë medikamentash. Ministrja t’i përgjigjet këtij babai.
(Vendos audion në seancë: Në 3 Korrik ishte shumë mirë, kishte radhën e mjekimit, por ju ndërprenë ilaçet. Megjithatë çuni i tha që “dua mjekimin”. Që atë ditë nuk i vazhdoi ilaçet. Më humbi jetën djali vetëm për mungesën e ilaçeve. Me datën 1 Shtator ai më vdiq çuni 39 vjeç, do të marrë në qafë të tjerët, çuni im nuk ngjallet më). Unë e kuptoj se nuk ju intereson. Folët për dinjitetin e Beqajt se u bë milioner me ilaçet që vodhi.
Ministrja Albana Koçiu: Nuk e mendoja kurrë se do të vije këtu dhe do të trajtoje këtë fatkeqësi të një qytetari për kredo politike. Nuk trajohen sëmundjet për kredo politike. Nuk është as vendi dhe as Kuvendi për të trajtuar raste specifike që ka të bëjë me faktin me sëmundja e kancerit nëse nuk kapet në kohë, ka shqetësimet dhe problematikat e veta. Nëse ti do të kishe kaq shumë ndjesi për të ndihmuar qytetarët që kanë problematika, mund të vije të trokisje në derën time.
Përsa i përket rastit të Onkologjikut, flisni duke ju referuar të dhënave të Prokurorisë që janë duke e hetuar këtë dosje për faktin që është e rëndësishme që të mos çedohet besimi tek sistemi i shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë e mbështet hetimin e Prokurorisë, jemi të parët që duam që të zbardhet e vërteta. Kushdo që ka kaluar vijën e kuqe, të merren masa. Jemi duke rritur transparencën në shërbimin në “Onkologjik”.
Lista e barnave të rimbursueshme, sot është më e pasuruar se kurrë më parë. Trajtimi i sëmundjeve tumorale, sfidë komplekse për çdo sistem shëndetësor. Përballja me këto sëmundje kërkon një qasje më të gjerë. Të merren parasysh që politikat shëndetësore të lehtësojnë barrën e sëmundjeve. Së shpejti do të pajisemi në “Onkologjik” me akselatorin e tretë.
/tvklan.al