Sofia Vergara mori vlerësime të jashtëzakonshme për performancën e saj në serialin “Griselda” që portretizon jetën e famëkeqes Griselda Blanco. Aktorja kolumbiane u nominua për një çmim Emmy si aktore protagoniste fenomenale në një serial ose film antologjik, por pavarësisht performancës spektakolare, nuk mori asgjë në shtëpi.

Shumë admirues reaguan të zhgënjyer në rrjetet sociale, ndërsa aktorja pati një tjetër qasje. Çmimi për të cilin u nominua Sofia, u fitua nga Jodie Foster për rolin e saj në “True Detective: Night Country”.

Me sensin e saj të humorit, Sofia ndau një postim në Instagram duke bërë shaka  me humbjen e saj.

“Ma vodhën çmimin Emmy për herë të pestë”, u shpreh ajo në spanjisht ndërsa dilte nga ceremonia,  duke iu referuar 4 nominimeve të mëparshme për “Modern Family”.

Edhe fansat ranë dakord.  “Nuk fitove një Emmy, por fitove zemrat tona”, shkroi një prej tyre, ndërsa një komentues shtoi:  “Faleminderit që je një shembull i shkëlqyer i talentit latin. Puna dhe këmbëngulja jote na frymëzojnë të ndjekim ëndrrat tona dhe mos të dorëzohemi kurrë”.

Pavarësisht  kësaj, Sofia u shpreh se ndihej e nderuar që u vlerësua për “Griselda”.

“As nuk e kisha ëndërruar që pas ‘Modern Family’ do mund të punoja në diçka kaq të veçantë sa Griselda. Griselda ishte roli im i parë dramatik dhe na u deshën 15 vite ta realizonim.  Jam shumë mirënjohëse ndaj kujtdo që ishte pjesë e serialit. Unë duhej vërtet të kërkoja se çfarë do të thoshte të ishe një grua e asaj periudhe. Një nënë, një kolumbiane që u kthye në një përbindësh. Kështu që ishte detyrë shumë e vështirë për mua që ta kuptoja”, tha aktorja./tvklan.al