Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar një hapësirë të gjerë protestës së sotme në kryeqytet, ku kërkohej largimi i qeverisë së kryeministrit Rama. Disa prej tyre e transmetuan live. Jo vetëm mediat e vendeve fqinjë por dhe ato amerikane e ruse i kanë dhënë një hapësirë të gjerë protestës së opozitës para parlamentit të vendit.

Zëri Amerikës, dhe Ruptly TV kanë transmetuar dhe disa momente të protestës live. Në titujt kryesorë shkruhej se Tirana protestonte sërish kundër qeverisë, në një kohë që brenda sallës së parlamentit betoheshin deputetët e rinj.

Mediat italiane citojnë kryeministrin Rama i cili nga parlamenti deklaroi se nuk është i gatshëm të dorëzojë pushtetin në tavolinë, por që gjithsesi mbetej i hapur për bisedime.

Por lideri i opozitës Lulzim Basha, jashtë sallës kërkonte ndërkohë dorëheqjen e ekzekutivit, një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Por kryeministri Rama theksoi se parlamenti ishte vendi ku e kishin vendosur pjesa më e madhe e shqiptarëve duke i dhënë detyrën për të qeverisur deri në vitin 2021.

Washington Post në postoi një fotografi që në fakt është publikuar dhe nga pjesa më e madhe e mediave të huaja, me titullin: Protestuesit rrethojnë parlamentin dhe kërkojnë zgjedhje të reja.

Dhe media prestigjoze si Fox News e Asociated Press, fokusonin raportimin e tyre pikërisht në këtë kërkesë të protestuesve dhe opozitës./

abcnews.al