Karaibet? Jo është Shqipëria, një nga destinacionet më të mira për pushime. Me këtë titull e nis artikullin e saj e përditshmja italiane “Tempo Italia”.
Pavarësisht bukurisë së brigjeve të saj, për median italiane, Shqipëria është një vend me plazhe të pacenuara që duhet të eksplorohet nga turistët.
Me 363 kilometra vijë bregdetare me pamje nga deti Adriatik dhe Jon, Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse.
Ndërsa vendet fqinje si Greqia, Mali i Zi dhe Kroacia janë tashmë destinacione të konsoliduara për pushime verore, Shqipëria sipas saj mbetet një perlë e fshehur, gati për t’u zbuluar.
Bregdeti shqiptar karakterizohet nga plazhe me rërë, gjire të izoluar dhe një det i pastër kristal që të kujton Karaibet.
Ndër plazhet më të bukura përmenden Dhërmiu, Ksamili, Borshi, Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Golemi e Divjaka.
Vëmendje turizmit shqiptar i ka kushtuar së fundmi edhe revista e njohur “Lonely Planet Italia” në një reportazh dedikuar Beratit.
Ajo u sugjeron lexuesve të vizitojnë qytetin muze të UNESCO-s, një vendbanim i lashtë i banuar ende dhe sot.
Përveç kalasë dhe bujtinave tradicionale, reportazhi veçon ushqimin tradicional dhe verën e prodhuar nga agroturizmat e zonës, por edhe kanionet e Osumit që e konsideron një panoramë që është e vështirë se mund të harrohet!
Tv Klan