10 vjet pas iniciativës për shndërrimin e Prespës në një park rajonal, hidhet hapi i parë i rëndësishëm për ta kthyer atë në një zonë ndërkufitare, e mbrojtur nga një plan i përbashkët i tre vendeve qe e prekin atë.
Ministri shqiptar i Mjedisit, Fatmir Mediu, homologia e tij greke Konstantina Birbili dhe ai maqedonas Nexhat Jakupi nënshkruan në Prespë një marrëveshje mbi menaxhimin e ujit të këtij ekosistemi.
Duke e vlerësuar këtë nismë si një hap përpara në bashkëpunimin mes tre vendeve ministri Mediu kërkoi mbështetjen e autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile për menaxhimin me sukses të projektit.
Fatmir Mediu: “Qëllimi ynë është që vendimmarrja jonë politike, planet konkrete të veprimit, financimet e ndryshme të kenë transparencën absolute dhe mbështetjen e autoriteteve lokale për ta parë Prespën në mënyrë të integruar që na takon të tre vendeve tona. Kjo marrëveshje është dhe një hap përpara për të parë dhe në mënyrë bilaterale ose rajonale dhe çështje të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendeve tona dhe përshtatshmërinë që ato duhet të kenë në mjedisin për një zhvillim të qëndrueshëm.”
Ministrja greke e mjedisit dhe ai maqedonas shprehën gjithashtu vullnetin për ta çuar përpara këtë iniciativë trepalëshe.
Konstantina Birbili: “Nënshkruam një marrëveshje e cila pritet të konfirmohet nga parlamentet përkatëse për ta kthyer në konventë. Kjo përbën një kuadër obligues për të tërë ne, si edhe pjesëmarrja e Komisionit Europian, na bën të ndihemi në rrugën e duhur.”
Nexhat Jakupi: “Mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit, do të kenë impakt të dukshëm edhe në zhvillimin ekonomik të kësaj zone. Qeveritë tona do të gjejnë mjetet e duhura, duke vlerësuar mundësitë e financimit të nevojshëm me qëllim që në praktikë të zbatohet çdo pikë e shkruar e marrëveshjes.”
Në këtë takim ishte i pranishëm dhe komisioner i BE për çështjet e mjedisit, Stavros Dimas, i cili dha mbështetjen maksimale që kjo marrëveshje të marrë frytet e saj sa më shpejt.
Ai u shpreh se nisma e tre vendeve për hartimin e këtij dokumenti dhe vullneti i mirë i tre kryeministrave në takimin e mëparshëm, i jep kësaj marrëveshjeje një hapësirë evropiane, që rezultatet mos të jenë më të kufizuara.
Marrëveshja e nënshkruar nga 3 ministrat e rajonit ka si qëllim mbrojtjen dhe zhvillimin e Ekosistemit në parkun e Prespës, duke iu nënshtruar të gjitha parametrave të Bashkimit Evropian./tvklan.al