“Deklaratat e deputetëve të opozitës, lojë e Ramës”
Ndryshe nga demokratët, aleati i tyre kryerepublikani Fatmir Mediu e përmban euforinë e fitores nga marrëveshja e 5 Qershorit, kur thotë se opozita nuk ka dalë e fituar nga dakordësia e arritur me mazhorancën.
“Për mua nuk është aspak e plotë, reforma zgjedhore është shumë më e gjerë sesa kaq. Është një marrëveshje që ka të bëjë më administrimin e procesit zgjedhor. Pra u kthyem në formulën e vjetër dhe në këtë pikëpamje nuk kemi fituar gjë, përveçse kemi shmangur një manipulim”.
Reforma Zgjedhore thotë se duhet të kulmojë me dy kërkesa të kahershme të opozitës, të cilat nuk janë pjesë e marrëveshjes së arritur me mazhorancën.
“Opozita nuk të heqë dorë për qeverisje kujdestare, e kam thënë, duhet ndoshta të këmbëngulte fort edhe për ndryshimin e sistemit, për të qenë në të njëjtën valë ndjesie me qytetarët shqiptarë, por edhe për të garantuar një angazhim e sinergji të gjithë shoqërisë shqiptare në procesin zgjedhor dhe një besim te opozita. Kemi lënë që ta diskutojmë, çështja thonë është e hapur, shpresoj që të dalim në një qëndrim për këtë çështje”.
Me rezerva flet edhe për lëshimin që sipas tij bëri opozita duke hequr dorë nga kryesimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Ishte rënë dakord, të paktën në njohjen tim, që deri në parlamentin e ardhshëm, rolin e komisionerit do ta kishte kryetari i KQZ-së aktuale, Klement Zguri. Arsyet se përse u ndryshua unë nuk kam dijeni. Kryekomisionieri i përcaktuar si njeri i opozitës do të ishte një favor në administrim normal të procesit zgjedhor”.
Mendon ndryshe nga kolegët e tij të rreshtuar në kampin opozitar, të cilët janë shprehur se në zgjedhje do të garojnë edhe në nivel kryetari me listat e partive të tyre.
“Ka një problem që nëse do të kthehet në një sfidë për disa kryetarë partish, atëherë interesi i tyre për të arritur vota sa më shumë, për të maksimalizuar votat në favor të koalicionit do të jetë më minimal dhe kjo do të dëmtonte ndoshta në rezultatin e përgjithshëm elektoral të opozitës”.
Lojë të inskenuar nga Kryeministri Rama e cilëson përplasjen e krijuar me opozitën parlamentare në kuvend, duke ironizuar kërkesat e kësaj të fundit në këmbim të miratimit të ligjit të ri elektoral.
“Unë di që opozita parlamentare ka kërkuar hapjen e listave, pra zgjedhje me lista të hapura. Propozime të cilat rrisin pragun elektoral në 5 përqind, që nuk duhet të ketë koalicione, mendoj që janë propozime të shkruara nga Edi Rama ose njerëzit afër tij. Dhe kjo ka të bëjë ose me moskuptim dhe naivitet, ose me një lloj djallëzie të vazhdueshme që Edi Rama e ka zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme për të dëmtuar marrëveshjen”.
Mediu thotë se reforma elektorale do të jetë e mangët nëse nuk pasohet nga një reformë politike.
Tv Klan